Aktori i njohur, Dwayne Johnson, e ka konfirmuar lajmin se dy këngë të riincizuara të Taylor Swiftit, do të përfshihen si kolona zanore të filmit të tij të ri të animuar, “DC League of Super-Pets”.
Përmes një videoje promovuese të postuar në TikTok, pak orë para premierës së filmit, Johnson i shoqëruar nga kolegu i tij Kevin Hart, e informojnë publikun se hitet e yllit të muzikës pop, “Bad Blood” dhe “Message In A Bottle”, janë gjithashtu pjesë e projektit të tyre kinematografik.
@therock Clearly @imkevinhart has problems (being an as*hole) and I don’t think we can solve them ? Pumped to have TWO of my friend @Taylor Swift’s tracks in our #DCSuperPets! In theaters TONIGHT! #SwiftRock?#SevenBucksProd ♬ original sound - The Rock
Në “DC League of Super-Pets”, Dwayne Johnson, e huazon zërin për personazhin e qenit me superfuqi, Krypto the Super-Dog, njëherësh qeni i superheroit Superman.
Filmi i realizuar nga studioja filmike “Warner Bros. Pictures” e rrëfen historinë e aventurave të Kryptos dhe Supermenit, për të cilin personazh zërin e ka huazuar aktori dhe regjisori i njohur, John Krasinski. Ata janë një dyshe e pandashme që i posedojnë të njëjtat superfuqi dhe së bashku e luftojnë krimin në Metropolis. Por, kur Supermani dhe pjesa tjetër e superheronjëve nga “Justice League” kidnapohen, Krypto duhet ta bind një grup të kafshëve nga një strehimore, që t’i përvetësojnë superfuqitë e tyre të reja dhe ta ndihmojnë atë t’i shpëtojë superheronjtë e botës.
Krahas Johnsonit dhe Krasinskit, zërat për personazhet e këtij filmi të animuar i kanë huazuar edhe yjet: Kevin Hart, Kate McKinnon, Vanessa Bayer, Natasha Lyonne, Diego Luna, Marc Maron, Thomas Middleditch, Ben Schwartz dhe Keanu Reeves.
Me këtë projekt, Jared Stern, e shënon debutimin regjisorial me një film të animuar, dhe përveç roli të regjisorit ai shërben edhe si bashkëskenarist.
“DC League of Super-Pets” do të fillojë së shfaquri nëpër kinematë botërore të premten (29 korrik).