Netflixi i ka lansuar pamjet e para të serialit të ri, “Murderville”, i cili i takon zhanrit krim dhe komedi dhe në rolin kryesor e sjell aktorin, Will Arnett.
Projekti vjen i adaptuar nga seriali i shumëshpërblyer i kanalit BBC, “Murder in Successville”, i cili ishte krijuar nga Andy Brereton dhe Avril Spary.
Ylli i famshëm i kinematografisë, Will Arnett, e luan rolin e Terry Seattle, një detektiv veteran i cili në çdo episode të shout shoqërohet nga një i ftuar i famshëm, për ta zgjidhur një rast vrasjeje. Por, e veçanta e këtij projekti televiziv është se yjeve të ftuar nuk u jepet ndonjë skenar, duke i detyruar ata ta improvizojnë dialogun deri në zgjidhjen e rastit dhe zbulimin e vrasësit deri në fund të episodit.
Gjashtë episodet e sezonit të parë të serialit “Murderville” do të transmetohen në platformën digjitale Netflix, duke filluar nga 3 shkurti. Përveç Arnettit, pjesë e kastës së përhershme të shout janë edhe Haneefah Wood, Lilan Bowden, Phillip Smithey, kurse me role të vogla paraqiten yjet: Kumail Nanjiani, Annie Murphy, Conan O’Brien, Ken Jeong, Marshawn Lynch dhe Sharon Stone.