Këngëtarja dhe aktorja e njohur amerikane, Miley Cyrus, e cila shquhet për zërin e fuqishëm dhe performancat e pagabuara live, shpërtheu në lot gjatë interpretimit të hitit të saj “Wrecking Ball”, në koncertin “Super Bowl LV TikTok Tailgate” të organizuar para finales së kampionatit të futbollit amerikan.
Ylli i hitit “Midnight Sky” e cila në gusht të vitit 2019 u shkurorëzua nga bashkëshorti, Liam Hemsworth, pas vetëm tetë muaj martesë, u detyrua të pushojë disa herë gjatë interpretimit të këngës në koncertin e së dielës, i cili i dedikohej punëtorëve shëndetësorë që kanë shërbyer në front të parë gjatë pandemisë.
Zëri i Mileyt filloi të dridhej në momentin kur e këndoi frazën: “Mos mendo kurrë se thjesht u largova, unë gjithmonë do të të dua ty”, dhe më pas këngëtarja filloi të përlotej para publikut të pranishëm në koncert, të cilët mundoheshin ta ngushëllojnë atë me brohoritje dhe duartrokitje.
Kënga “Wrecking Ball” flet për një ndarje të dhimbshme, dhe Cyrus e pranoi para turmës në Tampa të Floridës, se është shumë e ndjeshme ndaj këtij teksti.
Duke i luftuar lotët, këngëtarja tha: “Ta këndosh këngën ‘Wrecking Ball e cila flet për zemërthyerjen, është e vështirë për mua. Secili njeri vuan ndryshe nga tjetri, dhe secili e bartë vuajtjen në mënyrën e vet. Unë zbukurohem me shumë xixëllima dhe paraqitem e fortë para tjerëve, por gjithashtu e mbaj zemrën mbi supe dhe ajo përfundon e thyer shumë shpesh”.
Gjatë koncertit të së dielës, ylli 28-vjeçar i muzikës po ashtu e nderoi ndrikullën e saj, Dolly Parton, me interpretimin e hitit “Jolene”. Më vonë në skenë u shoqërua nga yjet, Billy Idol dhe Joan Jett.
Billy Idol iu bashkua Mileyt për t’i interpretuar këngët “Night Crawling”, që është pjesë e albumit të fundit të saj “Plastic Hearts”, dhe hitin e këngëtarit “White Wedding”. Ndërsa Joan Jett e ndihmoi në interpretimin e këngëve, “Bad Karma”, “Bad Reputation” dhe “I Hate Myself For Loving You”.