Showbiz

Menaxherja e John Legendit: Pas akuzave të P. Diddyt, mund ta pastrojmë industrinë e muzikës

John legend dhe Ty Stiklorius

John legend dhe Ty Stiklorius

Pas akuzave ndaj reperit Sean “Diddy Combs” për trafikim seksual, menaxherja e këngëtarit John Legend, në një artikull për “The New York Times” ka shkruar për situatën e rëndë në muzikë.
Ty Stiklorius e ka titulluar shkrimin autorial “Gjendja toksike e industrisë së muzikës pas akuzave ndaj P. Diddyt: Mund Ta Pastrojmë Këtë”.

Stiklorius ka përshkruar përvojat e saj dhe ka argumentuar se abuzimi seksual është problem sistematik, jo thjesht rezultat i disa individëve të famshëm.

Ajo ka përshkruar një festë në një jaht që është mbajtur në St. Barts, ku arriti të shpëtonte nga një situatë e rrezikshme, duke e quajtur ngjarjen treguese të fuqisë që kanë disa individë në industrinë e muzikës.

Sipas saj, kjo fuqi zakonisht është në duar të burrave të pasur, të cilët shfrytëzojnë pozitat e tyre për të abuzuar me artistët e rinj.

Ajo ka theksuar gratë nuk janë të sigurta në studio, në autobus të turneve e as në zyrat e industrisë.
Pas arrestimit të Combsit, Stiklorius ka shtruar pyetjen nëse industria do të përballet me këto çështje.
“Pas arrestimit të P.Diddyt, disa mbikëqyrës ishin kureshtarë të dinë nëse industria më në fund do të përballet me lëvizjen ‘MeToo’”, ka shkruar ajo.

Themeluesja e “Friends at Work” ka thënë se përqendrimi në raste të njohura si ai i producentit Harvey Weinsteinit dhe këngëtarit R. Kelly e përjashton problemin më të gjerë. 

Megjithatë, ajo shpreh shpresë, duke theksuar se “fuqia e këtyre personaliteteve të mëdha është duke u zvogëluar”, duke përmendur rastin e artistes Chappell Roan, e cila arriti të vazhdojë karrierën e saj pavarësisht pengesave nga ish-menaxhmenti, gjë që ka treguar një lloj ndryshimi në kontrollin tradicional të industrisë.

Stiklorius ka folur për përvojat e saj personale me abuzimin, përfshirë një incident me një ekzekutiv të muzikës, por ka theksuar se qëndroi në këtë industri për shkak të partneritetit me John Legend.

“Eksperienca ime e mëparshme me keqpërdorues dhe ata që ua mundësojnë atyre këto gjëra, gati më ka bërë që të heq dorë nga industria e muzikës. Pak vite pas incidentit në jaht, ndërkohë që po studioja, shkova në një darkë ku një ekzekutiv i kësaj industrie ma ka dhënë nën tavolinë çelësin e dhomës së tij. Unë e refuzova. Unë mbeta në industri vetëm për shkak se një shok i imi, në vitin 2005, po fillonte të korrte sukses si artist, më telefonoi. Ky artist ishte John Legend dhe 20 vjet pas, ende jam menaxherja e tij dhe partnerja e tij në disa biznese”, ka thënë Stiklorious e cila ka shtuar se beson që shumë artistë, përfshirë Legendin, duan një model të shëndetshëm biznesi dhe kulture.

Në fund të shkrimit, Stiklorius bën thirrje për përgjegjësi dhe ndryshim në industri për të nderuar shumë mbijetues të abuzimit dhe për të krijuar një ambient më të sigurt për artistët e ardhshëm. 
Ky diskutim vjen në një moment të rëndësishëm, pasi Combsi përballet me akuza të rënda, përfshirë akuzat për drogim dhe abuzim seksual të fëmijëve, që kanë rezultuar në shumë padi kundër tij.

“Zoti Combs dhe ekipi i tij ligjor kanë besim të plotë në faktet dhe integritetin e procesit gjyqësor. Në gjykatë, e vërteta do të dalë: zoti Combs nuk ka abuzuar seksualisht asnjë, qoftë mashkull apo femër, të rritur apo të mitur”, ka deklaruar ekipi i avokatëve mbrojtës të Combsit.

Aktualisht ai është në paraburgim në Brooklyn të New Yorkut, ndërkohë që i ka mohuar të gjitha akuzat. “Ikonës globale” mbrojtja në liri i është mohuar tri herë, përfshirë dorëzaninë prej 50 milionë dollarësh.