Aktorët e famshëm të hollywoodit, Halle Berry dhe Patrick Wilson, parakaluan mbi qilimin e kuq të shtruar në Los Angeles me rastin e premierës së filmit të tyre të ri “Moonfall”.
Filmi vjen me regji të Roland Emmerichit i cili edhe e ka bashkëshkruar skenarin, ndërsa ylli i kinematografisë, Halle Berry, në të luan krahas aktorit Patrick Wilson dhe yllit të serialit “Game of Thrones”, John Bradley
“Jam shumë e emocionuar. Shpresoj që ky është një film i cili do t’i inspirojë njerëzit të dalin nga shtëpia në kërkim të aventurave në kohë pandemie dhe sigurisht nëse ndihen plotësisht të sigurt, të shkojnë në kinema për ta parë atë sepse është një film i krijuar për ekran të madh. E dini, Roland Emmerich i krijon këto lloj botësh në projektet e tij të cilat duhet t’i përjetosh në shoqërinë e sa më shumë njerëzve. Prandaj, shpresoj që njerëzit të ndihen të sigurt për ta pasuruar jetën kulturore dhe për t’i vizituar kinematë”.
“Padyshim është një film i krijuar për t’u shikuar në ekran të madh. Prandaj nëse e gjeni ndonjë kinema afër vendit ku jetoni, shkoni për ta parë atë dhe për ta përjetuar në mënyrën siç është paramenduar”.
Heidi Klum, Kelly Rowland dhe Joey King, ishin disa prej të famshmëve që e ndoqën këtë premierë glamuroze.
Në filmin “Moonfall”, një forcë misterioze e largon Hënën nga orbita e saj rreth Tokës dhe kjo gjë bënë që jeta për njerëzimin të ndryshojë krejtësisht. Duke qenë sa kanë mbetur pak javë përpara goditjes dhe bota është në prag të asgjësimit, zyrtarja e NASA-s dhe ish-astronautja e Jo Foëler është e bindur se ajo e ka çelësin e shpëtimit të të gjithëve, por vetëm një astronaut nga e kaluara e saj, Brian Harper dhe një teoricien konspirativ, K.C. Housman, besojnë në të. Këta tre heronj vendosin ta kryejnë misionin e pamundur dhe të fundit për ta në hapësirë, duke lënë pas të gjithë ata që duan, vetëm për të zbuluar se Hëna nuk është ajo që ne mendojmë se është.
Në film luajnë edhe aktorët: Michael Pena, Charlie Plummer, Kelly Yu, Eme Ikwuakor, Carolina Bartczak, dhe Donald Sutherland.
“Moonfall” tashmë ka filluar së shfaquri nëpër kinema nga 4 shkurti.