Showbiz

Mblidhet ekipi i aktorëve për serialin “Lord of the Rings”

Pas një pritjeje të gjatë, me supozime dhe spekulime, Amazon Studio më në fund e ka publikuar kastin e plotë për serialin e vet të ardhshëm “Lord of the Rings”.

Robert Aramayo, Owain Arthur, Nazanin Boniadi, Tom Budge, Morfydd Clark, Ismael Cruz Córdova, Ema Horvath, Markella Kavenagh, Joseph Mawle, Tyroe Muhafidin, Sophia Nomvete, Megan Richards, Dylan Smith, Charlie Vickers and Daniel Weyman janë emrat e aktorëve, të cilët do ta udhëheqin serinë e re.

Produksioni i serialit duhej të fillonte muajin tjetër, ndërsa showrunnerët dhe producentët ekzekutivë do të jenë J.D. Payne dhe Patrick McKay. J. A. Bayona do ta bëjë regjinë e dy episodeve të para, por ende nuk e dimë nëse do të vazhdojë me regjinë apo do të vijë dikush tjetër.

Image

Seriali do të bazohet në tregimet nga romani i autorit J.R.R. Tolkien, të vendosura shumë vite para ngjarjeve të filmit "The Fellowship of the Ring" (cameo e Sean Bean nuk ka të ngjarë të ndodhë, por Hugo Weaving mund të shfaqet në seri), shkruan KOHA Ditore. Sezoni i parë do të përbëhet nga 8 episode, të cilat supozojmë se do të zgjasin nga një orë.

Tashmë është zbuluar më parë se Mawle (Benjen Stark nga Game of Thrones) do ta marrë rolin e keqbërësit Oren, ndërsa Clark (Mina nga seria e Netflixit “Dracula”) do të duhej të jetë Galadriel e re.

Nëse produksioni fillon me të vërtetë muajin e ardhshëm, ka gjasa të mira që deri në fund të vitit ta shohim trilerin e parë, ndërsa episodin e parë vitin e ardhshëm. Por ky është vetëm një supozim tani për tani pasi që datat e shfaqjes nuk janë konfirmuar ende.