Showbiz

Mariah Carey fiton gjyqin për hitin e krishtlindjeve

Mariah Carey

Mariah Carey

Foto: Associated Press

Gjykata federale në Los Angeles ka marrë vendim me të cilin konstatohet se artistja e njohur Mariah Carey nuk e ka vjedhur këngën e saj të njohur për Krishtlindje, “All I Want For Christmas Is You”, nga kompozitorë të tjerë, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.

Gjykatësja Mónica Ramírez Almadani ka pranuar kërkesën e Careyt për vendim të përmbledhur, duke i vendosur në favor të saj dhe bashkëkompozitorit Walter Afanasieff pa shkuar në gjyq.

Në vitin 2023, kompozitorët Andy Stone (i njohur me emrin skenik Vince Vance) dhe Troy Powers ngrenë padi me të cilën kërkonin 20 milionë dollarë, duke pretenduar se Carey me këngën e vitit 1994, e cila është bërë hit i përvitshëm i sezonit të festave, kishte shkelur të drejtën e autorit. Ata pretendonin se kënga ishte kopje e këngës së tyre të zhanrit country të vitit 1989 me të njëjtin titull.

Avokati i tyre, Gerard P. Fox, u shpreh i zhgënjyer përmes një emaili dërguar Associated Pressit. Ai ka thënë se nga përvoja e tij, gjykatat në këtë nivel shpesh i hedhin poshtë rastet për të drejtat e autorit për muzikën dhe se zakonisht duhet apelim për ta çuar çështjen para jurisë.

“Klienti im do të vendosë së shpejti nëse do ta apelojë vendimin. Ne ngritëm padi bazuar në opinionet e dy muzikologëve të njohur që japin mësim në kolegje prestigjioze”, ka thënë avokati.

Ata kanë thënë se kishte një “mundësi të madhe” që Carey dhe Afanasieff ta kishin dëgjuar këngën e tyre, e cila kishte arritur deri në vendin e 31-të të në toplistën e Billboardit, “Hot Country Chart”.

Pas dëgjimit të ekspertëve nga të dyja palët, gjykatësja Ramírez Almadani ka mbështetur argumentet e mbrojtjes, të cilët kanë thënë se të dy këngët përdornin klishe të zakonshme të Krishtlindjeve, të cilat ekzistonin shumë kohë para se të kompozoheshin këto këngë, dhe se kënga e Careyt i përdorte në një mënyrë të ndryshme. Gjykatësja ka deklaruar se paditësit nuk arritën të tregojnë se këngët janë “në mënyrë thelbësore të ngjashme”.

Për më tepër, Ramírez Almadani ka urdhëruar ndëshkime ndaj paditësve dhe avokatëve të tyre, duke e konsideruar padinë dhe dokumentet e mëvonshme si “të pabaza” dhe të pamatura. Ajo ka urdhëruar që ata të paguajnë një pjesë të tarifave të avokatëve të palës së mbrojtjes.

Avokatët dhe përfaqësuesit e Careyt nuk kanë reaguar ende për këtë vendim.

Kënga “All I Want For Christmas Is You”  ka arritur sukses edhe më të madh vitet e fundit sesa në vitet '90. Ajo ka arritur në vendin e parë të toplistës së Billboardit “Hot 100” për gjashtë vjet radhazi, duke u bërë një nga këngët më të dëgjuara në periudhën e festave.

Irionikisht, sipas Associated Press edhe Carey dhe Afanasieff , kanë pasur mosmarrëveshje publike për kontributet e tyre në këngë, megjithatë, kjo padi i ka bashkuar përkohësisht në mbrojtje të krijimit të tyre të përbashkët.