Këngëtari Marilyn Manson ka bërë të ditur të enjten se akuzat e Esme Biancos për sulme seksuale janë “të pavërteta, të pamerituara” dhe pjesë e një “sulmi të koordinuar” nga disa gra.
Në fillim të këtij viti, aktorja e “Game Of Thrones” e paditi këngëtarin, duke e akuzuar për sulm seksual. Ajo pretendon se Mansoni përdori në mënyrë të vazhdueshme drogë, forcë dhe kërcënime për ta detyruar për akte seksuale. Manson, emri i vërtetë i të cilit është Brian Warner, tani ka bërë kërkesë për ta hedhur poshtë rastin, duke thënë se e mohon secilën akuzë.
Bianco është një nga katër gratë që e kanë paditur këngëtarin, së bashku me ish-ndihmësen personale të Mansonit, Ashley Walters, modelen Ashley Morgan Smithline dhe një grua që ka zgjedhur të mbetet anonime.
Akuzat e tyre janë të një natyre të ngjashme, përfshirë akuzat për abuzim seksual dhe fizik. Në total, më shumë se një duzinë grash kanë bërë akuza publike kundër muzikantit, përfshirë ish-të fejuarën Evan Rachel Wood.
Avokatët e Mansonit, sipas dokumenteve të gjykatës, thonë se nuk ka “asnjë provë” për t’i mbështetur pretendimet e tyre. Ata më tej i akuzojnë gratë se po përpiqen “plot dëshpërim” që ta lidhin imazhin e personit të famshëm, Marilyn Manson, me fjalë të sajuara për abuzim.
Dokumentet, të siguruara nga BBC-ja, gjithashtu pretendojnë se personat që po e akuzojnë Mansonin “po mundohen që në mënyrë cinike dhe të pandershme të përfitojnë dhe ta shfrytëzojnë lëvizjen #MeToo”.
Bianco së pari kishte folur kundër Mansonit në shkurt, pak pasi Evan Rachel Wood bëri një deklaratë duke pretenduar se Manson kishte abuzuar me të “në mënyrë të tmerrshme” dhe se “ia kishte shpërlarë truri dhe ishte manipuluar për t’iu nënshtruar”.
Aktorja britanike e paditi yllin e rockut në prill, duke pretenduar se e kishte lidhur, rrahur dhe i kishte dhënë shok elektrik. Ajo gjithashtu ka thënë se Mansoni e kishte detyruar të bënte marrëdhënie seksuale, që shpesh ishte e dhunshme dhe degraduese, ndonjëherë kur ishte pa ndjenja ose kur nuk ishte në gjendje ta jepte pëlqimin e saj.
Manson i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke i quajtur “shtrembërime të tmerrshme të realitetit”. Avokatët e Mansonit kanë thënë se rasti i Biancos është ngritur shumë vonë për t’u marrë në dorë nga ligji i Kalifornisë. Akuzave të saj, që datojnë nga viti 2011, “u ka skaduar afati për më shumë se 7 vjet dhe paditësi nuk mund të kërkojë për t’u bërë përjashtim nga ligji”, kanë thënë ata dhe kanë kërkuar që rasti të hidhet poshtë.
Pas akuzave kundër Mansonit në shkurt, ai u përjashtua nga menaxheri i tij dhe labeli muzikor. Në qershor, Manson iu dorëzua Departamentit të Policisë në Los Angeles në lidhje me një urdhër arresti të vitit 2019, në lidhje me sulmin e pretenduar të një kameramani në një koncert. Që atëherë është liruar me kusht.