Këngëtarja me famë botërore, Madonna, e cila qe katër vjet është duke punuar për një film që tregon jetën dhe karrierën e saj, të titulluar “Who’s That Girl?”, po mendon ta bëjë atë serial.
Pas disa diskutimesh me producentë dhe agjentë, ajo po mendon të ndryshojë mënyrën e realizimit të projektit, ka shkruar FemaleFirst.
Të hënën, 66 vjeçja shpërndau një postim në llogarinë e saj në rrjetin social Instagram, ku tregoi për vështirësitë dhe sfidat që po kalon.
“Pasi kam luftuar për ditë të tëra në LA, duke dëgjuar producentët dhe agjentët që më thonin pse nuk mund ta bëja filmin tim (kam punuar për të për 4 vjet!!!) shkurtoje, bëje një version më të shkurtër, mendo më thjesht, më thonë. Kuptova se çdo gjë në jetën time do të më sfidojë shumë e më shumë. Nuk ka udhëtime të lehta për mua. Mendoj se duhet të jem mirënjohëse... Kjo më detyron t’i mendoj gjërat më gjerësisht”, ka thënë këngëtarja.
Ajo ka theksuar se jeta dhe krijimtaria e saj nuk do mund të pasqyrohen në mënyrë tradicionale.
“Nuk mund ta bëj këtë në mënyrën normale. Të kaloja kohë me miqtë e mi krijues ishte pikërisht ajo që më duhej për të vazhduar!”, ka thënë tutje Madonna duke shtuar gjithashtu se ajo dhe miqtë e saj krijues u pajtuan se duhen të jenë më të guximshëm se kurrë duke shtuar se “Arti është i barabartë me mbijetesë, nuk mund të tkurrem dhe ta bëj veten më të vogël”.
Ajo gjithashtu e pyeti publikun: “A duhet ta bëj historinë e jetës sime në formën e një seriali apo një filmi? Mendoni para se të përgjigjeni!!”.
Ky postim vjen pas një periudhe të vështirë për këtë projekt, pasi krijimi i këtij filmi u hoq nga plani në janar të vitit 2023, por gjatë verës së këtij viti, Madonna njoftoi se puna për këtë krijim kishte rinisur.
Në vitin 2022, ajo pati folur për vështirësitë që po kalonte me skenarin e filmit.
“Askush nuk do ta tregojë historinë time përveç meje”.
Ylli e pati përshkruar skenarin si shumë të gjatë dhe të vështirë për t’u shkurtuar.
“Jam munduar ta shkurtojë, por është si t’i pres gjymtyrët”, ishte shprehur këngëtarja.