Lupita Nyong'o po kalon mirë në zhanrin horror, gjë që edhe e demonstroi në fillim të këtij viti në filmin “Us”, ndërsa tani kemi mundësi ta shohim rikthimin e saj në horror, por këtë herë me një element humoristik.
Pasi u shfaq në disa festivale këtë vit, filmi “Little Monsters” tani është prezantuar me trilerin e parë, i cili është i dedikuar për një audiencë të rritur.
Filmi bën fjalë për Dave (Alexander England), muzikantin e dështuar i cili vullnetarisht e ndjek nipin e tij në një udhëtim pasi i pëlqen mësuesja e tij e patrembur, znj. Caroline (Nyong'o), shkruan KOHA Ditore. Por e gjitha komplikohet kur ai e kupton se me ta do të shkojë edhe fytyra më e njohur e emisioneve për fëmijë dhe konkurrenti serioz për simpatinë e znj. Caroline, Teddy McGiggle (Josh Gad).

Megjithatë, ndodh diçka që askush nuk e ka llogaritur: një invazion i papritur i zombive. A do t’ia dalë Dave ta gjejë forcën për t'i shpëtuar ata dhe kështu ta fitojë zemrën e znj. Caroline, apo atë do ta vrasin zombit?
Abe Forsythe e ka bërë regjinë e filmit dhe skenarin, ndërsa ky film horror-komedi pritet të shfaqet brenda disa muajsh, më saktë në nëntor.