Luisa Boshnjaku, artiste alternative-pop nga Kosova e njohur si LUI$A ka nënshkruar marrëveshje globale me shtëpinë muzikore “Broke Records” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka njoftuar “Three60 Music”.
Sipas njoftimit nga kompania menaxhuese e artistëve, këngëtarja nga Prishtina ka nënshkruar kontratë për publikimin e dy EP-ve, me nga pesë këngë. Kompania e ka cilësuar shtëpinë muzikore si një prej shtëpive muzikore të pavarura që po zgjerohet më së shpejti në botë.
Njoftimi thekson se muzika e artistes është miks mes eksperimentalizmit elektronik dhe popit komercial, me frymëzim nga ikona të ndryshme si FKA Twigs, Madonna dhe A$AP Rocky, si dhe kultura e gjallë e jetës së natës.
Sipas menaxhmentit, LUI$A sivjet do të lansojë disa projekte, që përfshijnë bashkëpunime dhe krijime origjinale.
“Udhëtimi i saj muzikor filloi në SoundCloud në moshën 12 vjeçare, ku ajo ndau për herë të parë “beat-et” e saj trip-hop si një producente e re. Me kalimin e kohës, ajo kaloi në shkrimin e këngëve, duke filluar ti ndaj këngët e saj origjinale me botën. Performancën e parë e pati gjatë pandemisë në VFILES PTA Remote Sessions në 2020, ku eventualisht nga skenat virtuale filloi me shfaqje të drejtpërdrejta në vende ikonike si Madame Siam dhe The Peppermint Club në Los Angeles”, thuhet në komunikatë.
LUI$A u diplomua në vitin 2022 në Akademinë e Los Angelesit për Artistët dhe Prodhimin e Muzikës (LAAMP), e themeluar nga producentët Stargate, të njohur për hitet e Beyoncet, Rihannas dhe Charlie XCX.
Aty ishte zgjedhur “Artistja e vitit”.
Arti i saj është i inspiruar nga skena e muzikës dhe artit në Kosovë, sipas komunikatës.
Prej 2023-s, LUI$A është duke ndjekur mësimet në një prej shkollave më prestigjioze të muzikës në botë “Roc Nation School of Music, Sports & Entertainment”, e themeluar nga artisti Jay-Z.
LUI$A është vajza e producentit të njohur Florent Boshnjaku.