Showbiz

Lucas Bravo: Sezoni i pestë i “Emily in Paris” do të jetë më i miri deri tani

Lucas Bravo

Lucas Bravo

Foto: Associated Press

Aktori Lucas Bravo, i njohur për rolin e shefit simpatik Gabriel në serialin e suksesshëm të Netflix-it “Emily in Paris”, ka dhënë sinjale premtuese për sezonin e pestë të serialit. Në një intervistë për revistën “Parade”, aktori francez ka zbuluar se xhirimet do të nisin në muajin maj dhe ka premtuar se ky do të jetë sezoni më i fuqishëm deri më tani.

“Mendoj se është sezoni më i mirë deri tani, fansat do të çmenden!” ka thënë ai.

Bravo ka zbuluar se ka pasur takim me krijuesin e serialit, Darren Star, nga i cili ka marrë disa informacione konfidenciale rreth drejtimit të sezonit të ri.

“Darren më tregoi pak, pa më treguar shumë. Është sezoni më i çmendur deri më tani”, ka thënë ylli duke qeshur.

Së fundmi, emri i aktorit është lidhur me atë të yllit të Hollywoodit, Shailene Woodley. I pyetur nëse ajo do të shfaqet si mysafire në sezonin e ardhshëm, Bravo u përgjigj me humor duke pretenduar se nuk e di se kush është.

“Kush? Nuk e di për çfarë po flisni”, ka thënë ai.

Kritika e Bravos ndaj zhvillimit të karakterit të Gabrielit

Edhe pse entuziast për sezonin e ri, Bravo nuk i ka kursyer kritikat për mënyrën se si është trajtuar personazhi i tij në sezonet e fundit. Në një intervistë për IndieWire në vitin 2024, ai pati deklaruar se nuk ndihet më i lidhur me Gabrielin.

“Në sezonin e parë kishte shumë gjëra prej personalitetit tim që mund t’i gjeja në të. Por më pas, me zgjedhjet që i bënë, ai u kthye në një karakter të humbur dhe të manipuluar. Nuk ishte më argëtuese për mua”, pati thënë aktori.

Ai ka përmendur me metaforë se personazhi i tij “po kthehej ngadalë në një person që manipulohet shumë lehtë”, duke e bërë të vështirë lidhjen emocionale me rolin.

Përkundër këtyre vështirësive, sipas Bravos, sezoni i ri mund të rikthejë energjinë e munguar.