Aktori, Lucas Bravo, i cili luan rolin e personazhit Gabriel në serialin e shumëpërfolur “Emily in Paris”, ka thënë se nuk është i sigurt nëse do të rikthehet ne sezonin e radhës të serialit.
36-vjeçari ka thënë se po ndihet sikur nuk po përket më me atë karakter.
“Karakteri i ‘kuzhinierit tërheqës’ ishte pjesë e imja në sezonin e parë dhe ndërsa sezonet vazhdonin unë po distancohesha nga ky personazh për shkak të zgjedhjeve që bën dhe shtyhem të bëj. Nuk kam qenë asnjëherë më larg nga ky lloj karakteri”, ka thënë ai në një intervistë për “IndieWire”.
Ai ka shpjeguar se në sezonin e parë, karakteri i jetës së përditshme të tij përkiste me karakterin që luante në serial. Por me kalimin e kohës, karakteri filloi të merrte tjetër drejtim.
“Ai nuk është i vetëdijshëm për rrethin që ka, për dinamikën e jetës së tij, duke u viktimizuar gjithnjë dhe duke qenë krejtësisht i përhumbur. Ai manipulohet nga të gjithë dhe gjithçka që ndodh rreth tij dhe kjo gjë me kalimin e kohës nuk është diçka argëtuese të incizoj. Këtë rol e doja shumë në fillim, por pastaj u shndërrua në diçka që nuk më pëlqen. Me të vërtetë jam distancuar nga ky personazh”, ka thënë Bravo.
Në këtë serial, aktori luan përkrah kolegëve të tij të famshëm si Lily Collins, e cila luan rolin e Emilyt dhe Ashley Park, në rolin e Mindyt.
“Për disa sezone me radhë jam munduar ta përmirësoj karakterin që luaj, por nuk na lejohet të bëjmë shumë ndryshime gjatë xhirimeve. Nuk mund të ndryshojmë fjalët apo emocionet. Regjisorët e dinë çfarë duan dhe ne duhet të bindemi”, ka thënë tutje aktori.
Ai po dyshon se do të rikthehet ne sezonin e pestë të serialit.
“Me të vërtetë do të doja të shihja nëse Gabrieli do të rikthehej në karakterin e tij që ishte në fillim. Sepse kam tre sezone që luaj melankolikun, të mërziturin në depresion, e të luaj të përhumburin nuk më argëton më. Është komedi, gjithkush përreth meje po kënaqet e unë po fundosem vazhdimisht. Zoti e di çka”, ka thënë ndër të tjera Bravo.