Showbiz

Lopez anulon paraqitjet publike për t’i ndihmuar viktimat e zjarreve në Los Angeles

Jennifer Lopez

Jennifer Lopez

Foto: Associated Press

Aktorja dhe këngëtarja, Jennifer Lopez ka anuluar të gjitha paraqitjet e ardhshme për të ndihmuar viktimat e zjarreve të Los Angelesit të cilat kanë vazhduar të shtohen gjatë fundjavës, raporton Page Six.

“Është e rëndësishme për të që të fokusohet në mbështetjen e komunitetit të Los Angelesit gjatë kësaj kohe shumë të vështirë”, ka thënë një burim për People, i cili raportoi për herë të parë lajmin.

Lopez do të shfaqej në "The View", "Live with Kelly and Mark" dhe "The Tonight Show Starring Jimmy Fallon" për të promovuar filmin e saj të ri, "Unstoppable" javën e ardhshme.

Premiera e filmit, e cila ishte caktuar të mbahej në Los Angeles në fillim të javës pasi shpërthyen zjarret, u anulua gjithashtu.

Të premten, ylli i "Maid in Manhattan" ka shpërndarë një deklaratë në Instagram dhe lidhje me burimet për ata që u prekën nga zjarret, të cilat shkatërruan lagjen e pasur Pacific Palisades në Los Angeles si dhe Altadena në Lindjen e Los Angelesit.

“Zemra ime është me të gjithë të prekurit nga zjarret e L.A. Në momente si këto, forca jonë qëndron në mbështetjen e njëri-tjetrit”, ka shkruar ajo.

Ajo ndau informata se ku mund të drejtohen njerëzit për shëndetin mendor, kujdesin për kafshët dhe vendndodhjen e strehimoreve për këdo që ka nevojë për to.