Showbiz

Lizzo tregon se si e mundi ankthin përmes meditimit dhe izolimit

Lizzo

Lizzo

Foto: Associated Press

Ylli i muzikës pop Lizzo ka zbuluar se ka kaluar vite duke u përballur me ankthin, por arriti ta përmirësojë gjendjen e saj mendore përmes meditimit dhe një forme të vetë-izolimit të qëllimshëm, larg shpërqendrimeve.

Në një video në TikTok, 36-vjeçarja ka treguar se pas përpjekjeve të vazhdueshme, gjeti më në fund një metodë që funksionoi për të, raporton “FemaleFirst”. 

“Prej vitesh kam punuar për të vënë ankthin nën kontroll. Dhe pastaj vendosa që dua të çlirohem dhe jam gati të ndaloj së prituri për të qenë vetja ime, plotësisht, dhe për të qenë e lumtur”, ka treguar ajo.

Lizzo ka sqaruar se nuk bëhej fjalë për një vetë-izolim të trishtueshëm si më parë, por për një qasje të vetëdijshme.

“Meditova. E qetësova veten. Dhe u izolova pak, por jo në mënyrë që të më vinte vetmia. Jo si dikur kur isha në depresion. U izolova në mënyrë të vetëdijshme, ku nuk kishte asnjë shpërqendrim”, tha ajo.

Lizzo pranoi se më parë përdorte metoda të ndryshme për ta larguar mendjen nga mendimet e këqija. 

“Më pëlqente të shpërqendrohesha me njerëz, me ushqim, me pije… edhe me probleme që i krijoja vetë. Më pëlqente ta bëja këtë. Por e ndalova. Thjesht u përqendrova te vetja”, tha ajo.

Në të njëjtin transmetim direkt, artistja foli edhe për ndryshimet në stilin e saj të jetesës, përfshirë humbjen në peshë, pasi ndaloi së konsumuar dy deri në tre pije të mëdha në ditë nga Starbucks dhe zëvendësoi ëmbëlsirat me ushqime më të shëndetshme.

“Tani nëse dua diçka të ëmbël, duhet të jetë me ndonjë karbohidrat. Për shembull, ha gjalpë bajamesh me bukë të thekur. Trupi i secilit është ndryshe. Duhet të gjesh çfarë të funksionon ty,” tha ajo. “E vetmja gjë që shkencërisht funksionon për të gjithë është balanca mes kalorive që marrim dhe atyre që djegim. Kështu funksionon trupi i njeriut.”

Këto rrëfime vijnë pas një periudhe të vështirë për këngëtaren, e cila së fundmi pranoi se kishte hyrë në një “gjendje depresive”, pas disa padive të ngritura ndaj saj nga ish-balerinët, të cilët e akuzuan për ngacmim seksual. Lizzo i ka mohuar kategorikisht akuzat.

Në një intervistë për podcastin “On Purpose” me Jay Shetty, ajo tha: “Kisha ndjesinë se të gjithë më urrenin për diçka që nuk është e vërtetë. Dhe pastaj mendova: ‘Po, në këtë pozitë ku jam, të gjithë më urrejnë.’ Kam qenë në depresion sepse nuk dija si ta rregulloja. U bëra e errët. Kisha frikë nga njerëzit. Nuk besoja askënd, nuk doja të flisja me askënd.”

Lizzo, e cila do të publikojë albumin e saj të ri “Love in Real Life” më vonë gjatë këtij viti, zbuloi se ka shprehur disa nga këto ndjenja në muzikën e saj të re.

“Kam disa këngë shumë të errëta,” tha ajo.