Këngëtarja e njohur Lizzo ka treguar se ka kaluar një periudhë të gjatë depresioni pas akuzave për ngacmim seksual që u ngritën ndaj saj në vitin 2023.
36-vjeçarja, emri i vërtetë i së cilës është Melissa Viviane Jefferson, u përball me disa padi nga ish-valltarët e saj, të cilët e akuzuan për sjellje të papërshtatshme dhe ngacmim seksual.
Në një koncert të mbajtur të mërkurën mbrëma në Wiltern Theater, Lizzo u hap për këtë çështje para fansave, duke u shfaqur emocionale ndërsa rrëfente se si këto akuza ndikuan në shëndetin e saj mendor, ka raportuar Variety.
“Isha kaq e lënduar saqë nuk doja të jetoja më. E quajta albumin tim ‘Love in Real Life’ sepse rreth një vit e gjysmë më parë… është kaq e vështirë ta them… isha në një depresion të thellë dhe të errët”, është shprehur ajo në një video të shpërndarë nga një adhurues në rrjetin social X.
During her March 12 concert at the Wiltern Theatre in Los Angeles, Lizzo opened up about her struggles with depression following lawsuits in 2023 alleging harassment and a toxic work environment, which she denies.
— NRG Radio UG (@nrgradioug) March 14, 2025
She revealed that during this challenging period, she felt… pic.twitter.com/go6m5MKKIa
Ajo ka shtuar se ishte shumë e lënduar saqë nuk donte të jetonte më dhe frikësohej nga njerëzit.
“Isha kaq e thyer nga bota dhe aq e lënduar, saqë nuk doja të jetoja më. Isha aq e frikësuar nga njerëzit sa nuk doja të shihesha në publik. Por përfundimisht, e kalova atë frikë”, ka thënë ajo.
Lizzo ka treguar se një moment i thjeshtë me një adhurues i ka ndryshuar perspektivën.
“Ndërsa po ecja mes turmës për të arritur në vendin tim, ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Dikush, që nuk e njihja, më shikoi dhe më tha: ‘Lizzo, të dua’. Ai zgjati dorën, unë e kapa dhe u përqafuam. Dhe u ndjeva shumë mirë”, ka treguar këngëtarja.
Ajo e quajti këtë moment “shpëtimtar”.
“Pas asaj përvoje mendova: ‘Dreqin, këtë dashuri nuk mund ta gjesh në internet. Kjo është dashuria e vërtetë, në jetën reale”, ka thënë ylli.
Këngëtarja ka thënë se ndau historinë e saj për të frymëzuar ata që po përballen me depresion, tradhti apo urrejtje të pabazë.
Në lidhje me paditë, Lizzo ka mohuar akuzat e valltarëve, duke i quajtur ato “absurde” dhe “të pabesueshme”.
Pas padive fillestare, gjashtë valltare të tjera dolën me akuza të ngjashme. Në shtator 2023, ish-stilistja e saj Asha Daniels pati ngritur një tjetër padi, duke pretenduar ngacmim racor dhe seksual.
Megjithatë, në muajin dhjetor të vitit 2024, u raportua se padia e Asha Daniels ishte tërhequr.
Një burim i afërt me Lizzon pati thënë për The New York Post se këngëtarja nuk do të ndalet deri sa të pastrojë emrin e saj.
“Ka një arsye pse Lizzo po lufton ende, ndonëse shumica e figurave publike do ta kishin zgjidhur këtë çështje me një marrëveshje. Këto akuza janë të rreme dhe nuk mund të lihen të qëndrojnë”, pati thënë burimi.
Pavarësisht kësaj, Lizzo vazhdon të përballet me disa padi të tjera nga ish-punonjës, të cilët e akuzojnë për krijimin e një ambienti toksik pune dhe ngacmime të ndryshme.
Ajo vazhdon t'i mohojë të gjitha akuzat.