Showbiz

Lisa e grupit “BLACKPINK”, adhuruese e madhe e serialit “Squid Game”

Anëtarja e grupit “BLACKPINK”, Lisa, ka folur publikisht për dashurinë që e ka për serialin e ri korean të Netflixit, “Squid Game”.

Gjatë një interviste të fundit për emisionin e radios, “The Zach Sang Show”, ylli i muzikës K-pop i lindur në Tailandë tha: “Po, e adhuroj këtë serial dhe mezi pres të lansohet sezoni i dytë”.

Tutje, këngëtarja tha se i ka parë disa video virale në TikTok që kanë të bëjnë me “Squid Game” dhe këngën e saj “Money”, dhe i kanë pëlqyer shumë ato.

“Squid Game” debutoi në platformën e njohur digjitale vetëm një javë pasi Lisa e lansoi këngën e saj të re, “Money”, dhe fansat menjëherë filluan ta përdorin atë për të krijuar video të shkurtra rreth shout për rrjete sociale.

Lisa po ashtu e shfaqu dashurinë për serialin rekordthyes gjatë festës “Halloween” muajin e kaluar, pasi kishte vendosur të vishej sikur kukula e famshme e shout “Squid Game”, Young-hee. Kostumin e saj, këngëtarja e zbuloi përmes postimit të disa fotografive në Instagram ku shfaqet përkrah shoqes dhe anëtares tjetër të grupit “BLACKPINK”, Jisoo, e cila për “Halloween” ishte maskuar sikur Lisa nga videoklipi i këngës “Lalisa”.

Ndër të tjera në këtë intervistë, Lisa e shprehi mirënjohjen për mikeshat e saj të grupit, të cilat e kanë përkrahur shumë gjatë debutimit të saj si solo këngëtare. Ajo tregoi se, Jisoo, Jennie dhe Rose, kishin shkuar në sheshin e xhirimeve të videoklipeve muzikore, madje Rose kishte qëndruar me të gjatë gjithë natës.

Në muajin shtator, Lisa e lansoi albumin debutues si solo këngëtare me titull, “Lalisa”. Videoprojekti kryesor i këtij albumi me të njëjtin emër, u bë videoklipi më i shikuar brenda 24-orëve në YouTube nga një solo artiste, duke e thyer rekordin të cilin e mbante këngëtarja Taylor Swift me hitin e vitit 2019, “ME”.

Edhe kënga e saj e fundit, “Money”, është pritur jashtëzakonisht mirë nga fansat e muzikës K-pop, dhe i numëron mbi 280 milionë klikime në platformën muzikore YouTube. Kujtojmë se Lisa përveç si anëtare e “BLACKPINK”, shquhet edhe për aftësitë e saj në vallëzim.