Showbiz

Liam Payne vdiq duke u munduar të ikte nga hoteli

Liam Payne

Liam Payne

Këngëtari i ndjerë anglez, Liam Payne, dyshohet se ishte duke u munduar të ikte nga hoteli përmes ballkonit të dhomës në të cilën e kishin futur stafi i hotelit për shkak te sjelljeve të këqija që pati nisur t’i bënte pak çaste para vdekjes.

Mediumi amerikan TMZ ka shkruar se i ka parë pamjet e kamerave të sigurisë të hotelit “CasaSur” në Buenos Aires, të cilat ishin filmuar pak çaste para se të vdiste ylli.

Pamjet, sipas TMZ-së, shfaqin Paynen duke bërë sjellje të papërshtatshme nëpër hollin e hotelit dhe tre nëpunës të hotelit e marrin këngëtarin që ta rikthenin në dhomën e tij.

Payne, i cili ishte 31 vjeç kur vdiq më 16 tetor, kishte probleme me nëpunësit e hotelit, të cilët sipas TMZ-së, ishin duke e shtyrë me forcë të rikthehej në dhomën e tij.

Këngëtari në të kaluarën pati treguar se nuk i pëlqen të kalonte kohë i mbyllur nëpër dhoma të hoteleve, tek kujtonte se i është dashur ta bënte këtë kur ishte pjesë e grupit e “One Direction”.

Në pamjet në fjalë, shihet një nëpunës i hotelit duke marrë një çelës për ta mbyllur në dhomë yllin.

Në të kaluarën është raportuar po ashtu se Payne mundohej të ikte nga dhomat e hoteleve përmes ballkoneve të tyre, përfshirë një ngjarje të ngjashme që kishte ndodhur në muajin shtator, kur mediat kishin raportuar se ai pati ikur nga oborri i një shtëpie me qira që kishte marrë ne Floridë.

“Nuk e di nëse jeta e tij do të jetë në rrezik. Ai ndodhet në një dhomë në ballkon dhe jemi pak të frikësuar”, citohet të ketë thënë punonjësi i hotelit në thirrjen emergjente tek autoritet për të lajmëruar për situatën që po ndodhte në hotel.

Ndërkohë, TMZ ka shkruar se pavarësisht shqetësimeve, Payne është lënë brenda në dhomë, dhe një burim i ka thënë këtij mediumi se po beson se stafi i hotelit ishin më shumë të shqetësuar për ndodhitë nëpër holl sesa për sigurinë e Paynet.

Kur u gjet trupi i yllit, ai kishte në kokë një kapele, e cila nuk shihet në pamjet e kamerave të sigurisë së hotelit, ku shihej duke bërë sjellje të keqe në holl. Gjithashtu ai kishte një çantë në krah, të cilën nuk e kishte më parë, duke mbështetur teorinë se ai ishte duke u munduar të ikte nga ballkoni duke marrë gjësendet e veta.

Sipas TMZ-së, raporti i autoriteteve gjithashtu ka bërë të ditur se një tjetër çantë e Paynet, në të cilën ndodhej një letër ku shkruhej “për Liamin”, si dhe disa tableta e një shishe me pijen “Jack Daniel’s” janë gjetur në ballkonin e katit të dytë. Besohet se ai e ka lëshuar atë çantë para se të mundohej të zbriste në katin e dytë, nga i cili mund të kërcente në tokë më lehtë.

Kapela dhe çanta që Payne i ka pasur në trup kur ka vdekur
Çanta që është gjetur në ballkonin e katit të dytë

Kur stafi i hotelit është kontaktuar nga TMZ-ja, ata janë përgjigjur me “pa koment”.

Sipas raportit të autopsisë, Payne ka vdekur për shkak “traumave të shumta” dhe “gjakderdhjes se brendshme e të jashtme”, të cilat ndodhën si pasojë e rënies nga ballkoni.

Në këtë raport gjithashtu thuhet se ai ka pasur alkool e drogë në trupin e tij në kohën kur ka vdekur.

“Të gjitha lëndimet që ka pasur Payne në trup, kanë ndodhur si pasojë e rënies dhe nuk është vetëlënduar në asnjë formë”, thuhet në raport, në të cilën përfshihet shpjegimi se “vetëlëndimi” nuk ka mundur të ndodhë për shkak se në gjendjen në të cilën ai ndodhej, nuk e dinte se çfarë po bënte e as nuk mund ta kuptonte.