Showbiz

Liam Gallagher e akuzon vëllain e tij Noel për refuzimin e ribashkimit të grupit “Oasis”

Liam Gallagher ka deklaruar se grupit “Oasis” i ishin ofruar 100 milionë dollarë për një turne ribashkues, por vëllai i tij Noel Gallagher e kishte hedhur poshtë këtë ide.

Ylli i hitit “Don’t Look Back In Anger” ka bërë të ditur të hënën se bendi britanik i muzikës pop ishte duke e shqyrtuar mundësinë për t’u rikthyer në skenë, por më pas vëllai i tij 52-vjeçar e kishte refuzuar ofertën, transmeton Koha.net.

47-vjeçari Liam, në një mesazh të postuar në Twitter kishte shkruar: “Na janë ofruar 100 milionë dollarë për ta realizuar një turne, por për vëllain tim me shpirt lakmitari, sërish nuk mjaftuan”.

Ndërkaq, zëdhënësi i këngëtarit Noel Gallagher, ka refuzuar të flasë rreth këtyre deklaratave.

Në vitin 2009 në prapaskenat e një koncerti të grupit në Paris, vëllezërit Noel dhe Liam ishin zënë keq me njëri tjetrin. Pas kësaj ngjarjeje, Noel u largua nga grupi “Oasis” dhe thuhet që nga atëherë vëllezërit nuk kanë folur më.

Edhe të ndarë, që të dy vëllezërit kanë gëzuar karriera të suksesshme muzikore. Liam si vokalist i bendit “Beady Eye”, i përbërë nga kitaristët Gem Archer dhe Andy Bell, dhe bateristi Chris Sharrock, të gjithë ish-anëtarë të bendit “Oasis. Noel e kishte themeluar një bend të ri të quajtur “High Flying Birds”, dhe si tekst-shkrues i shumicës së hiteve të grupit “Oasis”, është i vetmi që e ka të drejtën e performimit të këtyre këngëve live.

Në kulmin e suksesit, në fillim të viteve ’90, pop bendi britanik i njohur për hite të tilla si “Wonderwall”, “Roll With It” dhe “Rock ‘n’ Roll Star”, ishte shpërblyer me katër çmime “Brit Award”, dy çmime “Ivor Novello” dhe disa shpërblime të tjera të rëndësishme.