Showbiz

Kylie Minogue bën rikthim triumfues me albumin e ri “Tension”

Ylli i muzikës, Kylie Minogue, e ka shënuar një rikthim triumfues në skenën e muzikës dance me albumin e vlerësuar lartë nga kritikët, “Tension”, që njëherësh është albumi i saj i 16-të i incizuar në studio.

Këngëtarja e 55-vjeçare, e ka publikuar tashmë projektin e parë pas hitit të kësaj vere “Padam Padam”. Kënga e prezantoi muzikën e saj para një gjenerate të re të fansave në rrjete sociale si TikToku.

Rreth albumit të ri, Minogue deklaroi: “Ndryshe nga dy albumet e kaluara, ky incizim nuk mbanë një temë të caktuar. Qëllimi i këngëve të tij është ta gjejnë zemrën, argëtimin apo edhe fantazinë në një moment të caktuar”.

Albumi me titull “Tension” vjen pas atij të vitit 2020, “Disco”. Ai i jep këngëtares edhe më shumë materiale për t’i përfshirë në listën e këngëve që to t’i performojë në kuadër të koncerteve të ardhshme në Las Vegas.

Superylli i muzikës pop do të ndjek hapat e artistëve të njohur si, Sir Elton John, Adele dhe Britney Spears, duke realizuar seri të koncerteve në qytetin e dritave në muajin nëntor. Së fundmi, Minogue e pranoi se këto performanca në Vegas vijnë në një kohë të përkryer të karrierës së saj.

“Jam e lumtur për këtë. Kur po flas me miqtë dhe familjen time, ata po shprehen jashtëzakonisht të entuziazmuar për këtë shou dhe po e shohin si arsye të mirë për të ardhur në Las Vegas. Mendoj se shumë prej historive nga Vegasi, fillojnë pikërisht me një arsye specifike e më pas përfundojnë në një eksperiencë të paharrueshme. Unë personalisht mezi po pres të kalojë kohë në qytetin e dritave, fillimisht për ta krijuar këtë eksperiencë unike e më pas për të tu kujdesur për argëtimin e publikut në ‘Voltaire’. Prandaj, mendoj se gjithçka do të shkojë mirë dhe sipas planifikimit. Në këtë moment të jetës dhe karrierës sime, ndjej se është koha e përkryer për një përvojë të tillë. Kam katalogun e duhur muzikor dhe dëshirën e ambicien për të punuar shumë dhe për të shkuar shumë më tej”, deklaroi këngëtarja për revistën “HELLO”.

Albumi “Tension” tashmë është publikuar në të gjitha platformat e mëdha muzikore. Ai i përfshinë gjithsej 11 këngë si, “Padam Padam”, “Hold On To Now”, “Things We Do For Love”, “Tension”, “One More Time”, “You Still Get Me High”, “Hands”, “Green Light”, “Vegas High” dhe “10 Out of 10” dhe “Story”.

Ylli australian është deklaruar shumë e lumtur me suksesin e këngës së “Padam Padam”. Këngëtarja e cila shquhet për eksplorimin me zhanre të ndryshme muzikore gjatë karrierës si, pop, country dhe disco, u rikthye në toplistat muzikore me këngën e albumit të fundit. Pritet që shumë shpejt ta realizojë edhe një turne promovues nëpër qytete të ndryshme të botës.

Minogue ndër vite ka realizuar hite të ndryshme muzikore si: “Spinning Around”, “Can’t Get You Ou of My Head”, “In Your Eyes”, “In My Arms” dhe të tjerë. Me ta publikuar albumin hit “Disco” në vitin 2020, ajo u bë gruaja e parë me albume të pozicionuara në maje të toplistave për pesë dekada rresht.

Përgatiti: Edona Binaku