Me personazhe shumë të pëlqyera e të qeshura pafund, seriali “O sa mirë”, që transmetohet në KTV, aktualisht është një ndër serialet më të shikuara në vend. Pjesë e tij vazhdojnë të jenë vetëm ata aktorë që publiku i mirëpret.
E në mesin e atyre që u mirëpritën është Arta Nitaj, apo siç tashmë njihet, Xhesika e “O sa mirë”. Ajo vetëm brenda katër episodeve ka arritur që të tërheqë vëmendje të madhe te shikuesit e këtij seriali.
Si studente e juridikut, Arta pranon se deri më tani nuk ka pasur asnjë lidhje me aktrim, përveç dashurisë së veçantë për kamerën. Ajo u shpreh se përfshirja e saj në këtë serial ishte krejtësisht e rastësishme, transmeton emisioni Express në KTV.
Arta në serial përfaqëson një vajzë, për të cilën bukuria është gjithçka dhe përmbi çdo gjë. Aktorja u shpreh se ideja që ajo të prezantohet në këtë mënyrë ka qenë e producentit Fisnik Vejsa.
Përveç rolit, Arta ka qenë shumë e komentuar për pamjen e saj. E për të arritur këtë trup që gëzon aktualisht, ajo është marrë me palestër një kohë të gjatë, e për më tepër ka qenë trajnere në një nga fitneset në Kosovë.
Krahas angazhimeve, ftesat e shumta nuk mungojnë as për realizimin e fotosesioneve të ndryshme.
Arta deklaroi se e ka në plan të vazhdojë bashkëpunimin me disenjatorë të ndryshëm në Kosovë dhe do të jetë e hapur ndaj ftesave që do t’i bëhen.
Arta Nitaj do të vazhdojë edhe më tej të jetë pjesë e “O sa mirë” me rolin që tashmë publiku e ka pritur mjaft mirë.