Kushtrim Kunushevcit i besohet “retouching” i fotosesionit të bashkëpunimit në koleksionin e brendit të veshjeve “Zara” dhe filmit më të përfolur “Barbie”
Filmi “Barbie” po bën xhiron rreth botës duke u shfaqur premiere. Ekipit të marketingut të filmit “Barbie” i kanë duartrokitur shumë ekspertë të këtyre çështjeve duke shkruar në mënyrë pozitive për ekipin. E kjo mbërriti edhe në Kosovë përmes Kushtrim Kunushevcit që bëri fotot e “Zarës” nga Nadia të admirohen edhe nga kosovarët.
Brendi i famshëm i veshjeve “Zara” ka bërë së fundmi një koleksion së bashku me produksionin e filmit më të ri nga Greta Gerwig, “Barbie”. Për këtë koleksion janë bërë disa fotosesione nga Nadia Lee Cohen të cilat u rregulluan për finalizim nga shqiptari Kunushevci.
Punën ai e shfaqi në rrjetin social “Facebook” derisa ka publikuar edhe disa fotografi.
Ai ka bashkëpunuar më herët edhe për revista prestigjioze të modës si Vogue, GQ, Bazzaar, PlayBoy, TheHollywoodReporter dhe revista të tjera,
Kunushevci i ka thënë KOHËS se për të qenë pjesë e këtij projekti përveç emrit që ka krijuar në këtë industri, faktor kyç ka qenë edhe njohja me fotografen Nadia Lee Cohen, e cila e ka njohur punën e tij.
“Eshtë kombinim i shumë faktorëve. Përveç përkushtimit dhe pasionit në fushë, një tjetër faktor kyç ka qenë njohja e fotografes së njohur Nadia Lee Cohen, e cila ka besuar në aftësitë e mija dhe më ka dhënë mundësi të kontribuoj në këtë projekt tërheqës me figurën e Barbies”, ka deklaruar Kunushevci.
Ai gjithashtu është shprehur i lumtur dhe krenar që si një shqiptar ka qenë pjesë e këtij projekti dhe kënaqësia më e madhe, sipas tij, i erdhi kur ky lajm i mirë u vu re edhe nga KOHA.
“Jam i lumtur dhe krenar që si një shqiptare kam qenë pjesë e këtij projekti dhe kënaqësia më e madhe është që ky lajm i mirë ka qenë i njohur” – ka thënë ai, duke shtuar se projekti i fundit me “Zara” dhe “Barbie” ka qenë më i veçantë se projektet tjera.
Për Kunushevcin suksesi vjen vetëm nga përkushtimi dhe durimi.
“Për të arritur në këtë pikë, ka kërkuar përkushtim të madh, punë të palodhshme dhe durim. Kam pasur një shumëllojshmëri eksperiencash dhe punë në fushën e ‘retouching’, dhe ndërkohë kam mësuar shumë nga secila prej tyre. Mendoj se çdo rrugëtim drejt suksesit ka momente të vështira dhe të gjata kohore, por me përkushtim, besim në vetvete dhe punë të palodhshme, gjithçka është e arritshme. Është e rëndësishme të jemi të përgatitur për sfidat dhe të mos dorëzohemi përpara tyre, por të vazhdojmë të ecim përpara me vendosmëri dhe durim. Sot, jam i lumtur për atë që kam arritur në rrugëtimin tim”, ka thënë ai.
“Suksesi është një udhëtim dhe jo një destinacion”, ka përfunduar Kunushevci.