Ylli i “Game of Thrones”, Kristofer Hivju, i cili e ka luajtur rolin e Tormund Giantsbane në serinë e famshme të kanalit HBO, e ka bërë të ditur lajmin se e ka marrë veten plotësisht pas betejës me COVID-19.
Ai e kishte informuar publikun se ka rezultuar pozitiv me sëmundjen vdekjeprurëse në muajin mars, si pasojë e së cilës ishte detyruar të vetizolohet në shtëpinë e tij, transmeton Koha.
Por në një postim të fundit në Instagram, aktori e ka konfirmuar lajmin se ai dhe bashkëshortja e tij, Gry, më në fund nuk po i shfaqin simptomat e koronavirusit.
Aktori norvegjez insiston se ata kishin qenë me fat që nuk kanë përjetuar simptoma të rënda të sëmundjes, si dhe u kujdes t’iu dërgojë shumë dashuri të gjithë atyre që janë prekur shumë më rëndë nga COVID-19.
“Përshëndetje të gjithëve! Ne jemi shëruar plotësisht nga koronavirusi dhe pas diagnostikimit me këtë sëmundje po gëzojmë shëndet të mirë. Pas kalimit të disa javëve në karantinë, më në fund mund të themi se po ndihemi shëndosh dhe mirë. Jemi me fat që kemi pasur simptoma mesatare të COVID-19, prandaj po iu dërgojmë shumë dashuri të gjithë atyre që janë goditur më rëndë nga kjo sëmundje,” kishte shkruar Hivju në Instagramin e tij.
Aktori 41-vjeçar gjithashtu është përkujdesur t’ia kujtojë të gjithëve që të jenë të kujdesshëm, ta ruajnë distancën mes vete, t’i lajnë duart vazhdimisht, të kujdesen për veten në këto kohëra të çuditshme për të gjithë, si dhe të ndihmojnë në mbrojtjen e komunitetit të tyre.
Hivju është aktori i radhës që është shëruar nga koronavirusi pas yjeve, Tom Hanks, Rita Wilson, Idris Elba, Olga Kurylenko, Daniel Dea Kim dhe të tjerë.