Aktorja e filmave “Twilight”, Kristen Stewart, është martuar me partneren e saj, skenaristen Dylan Meyer, në një ceremoni të thjeshtë dhe private të zhvilluar në kopshtin e shtëpisë së tyre në Los Angeles, më 20 prill 2025, ka raportuar TMZ.
Stewart, 35 vjeçe, dhe Meyer, 37, shkëmbyen betimet përpara miqve dhe familjarëve më të afërt. Në fotot e publikuara nga TMZ, aktorja shihet me një veshje të thjeshtë dy-pjesëshe, ndërsa skenaristja ka zgjedhur një bluzë të bardhë të tejdukshme dhe një fund. Dtewart mbante një buqetë me lule të bardha dhe blu.

Në pamjet nga ceremonia, dyshja duken duke shkëmbyer unazat dhe më pas dhurojnë puthjen e parë si bashkëshortet më të reja të Hollywoodit.
Ndër të ftuarit në këtë ceremoni ishin aktorja Ashley Benson dhe bashkëshorti i saj Brandon Davis.
Sipas burimeve të TMZ, çifti kishte marrë licencën për martesë në Los Angeles më 15 prill.
Stewart dhe Meyer janë fejuar në vitin 2021, pasi kishin qenë në lidhje për dy vjet. Edhe pse nuk kishin nxitim për t’u martuar, ato kishin vendosur që kjo do të ndodhte “kur të ndiheshin gati”.

“Të dyja jemi persona shumë të thjeshtë, dhe e bëmë këtë gjest të madh tradicional ku thamë: ‘Martohu me mua! Jo ti martohu me mua!’ Pastaj nuk planifikuam ceremoni martesore, por do ta bëjmë”, pati treguar aktorja në podcastin Not Skinny But Not Fat.
Ndërkohë, ylli ka treguar se ajo dhe partnerja e saj kanë ngrirë qelizat vezë për të pasur mundësi të krijojnë familje në të ardhmen.
“Kemi bërë gjëra të bezdisshme si ngrirja e vezëve. Që nëse duam të krijojmë familje, të kemi mundësi”, pati thënë Stewart, e cila në një tjetër intervistë pati treguar se ka dëshirë të ketë fëmijë.
Megjithatë, ylli i filmit “Spencer” ka pranuar se ndien frikë për lindjen.
“Nuk kam frikë nga shtatzënia. As nga të qenit nënë. Por jam shumë e frikësuar nga lindja. Më tmerron ideja që mund të mos e kem veten nën kontroll”, pati rrëfyer ajo.