JImmy Kimmel shpërthen në lot
Udhëheqësit e emisioneve të njohura “Late Night Shows” në Amerikë, komedianët si Jimmy Fallon, Stephan Colbert e Jimmy Kimmel, kanë shtuar dozën e humorit mbi zhgënjimin e tyre pasi Donald Trump fitoi garën presidenciale më 5 nëntor.
Kimmel ndërkohë që tregonte se sa të vështirë e pati kur e kuptoi që Trump kishte fituar zgjedhjet, shpërtheu në lot ndërkohë që fliste se sa keq do t’i kenë punët shumë njerëz, përfshirë edhe ata që e kanë votuar.
VIDEO:
“Të bëhemi të sinqertë, se dita e zgjedhjeve ishte e tmerrshme për gratë, për fëmijët, për qindra e mijëra imigrantë që punojnë shumë e që e bëjnë këtë vend të ‘ecën’”, ka thënë Kimmel, i cili u ndal, pasi shpërtheu në lot.
Ai ka vazhduar monologun e tij, pasi mori duartrokitje të madhe duke thënë se ajo natë ishte e tmerrshme edhe për punonjësit e shëndetësisë, për ndryshimet klimatike, për shkencën, për gazetarinë, për drejtësinë, për fjalën e lirë.
“Ishte natë e tmerrshme për të varfrit, për klasën e mesme, për ata që mbështeten në ndihmë sociale, për aleatët tanë në Ukrainë”, ka thënë tutje komediani, i cili pasi përmendi Ukrainën, sërish e tradhtuan lotët, ndërkohë që vazhdoi duke thënë se kjo është e tmerrshme edhe për NATO-n, për të vërtetën, për demokracinë dhe ndershmërinë.
“Ishte natë e tmerrshme për ata që votuan kundër tij dhe a dini çfarë? Është natë e tmerrshme edhe për ata që votuan për të, thjesht nuk jeni duke e kuptuar ende”, ka thënë Kimmel.
VIDEO:
Ndërkohë Fallon ka shprehur indinjatën duke thënë se Amerika ka vendosur të rikthehet në “çmenduri”.
“Amerika ka vendosur të rikthehet me ‘çmenduritë’ e ta zgjedhë Donald Trumpin. Pavarësisht se për kënd keni votuar, mendoj se të gjithë amerikanët do të pajtohen se ‘festa a falënderimeve’ do të jetë mjaft e vështirë”, ka thënë Fallon.
Kurse udhëheqësi tjetër Colbert ka thënë se nuk e gëzoi fare ky fakt, ani pse do të ketë mjaft material për emisionin e tij.
“Si udhëheqës i një emisioni të tipit ‘late night’ njerëzit shpesh më thonë: ‘lërë tash, se një pjesë e jotja ka qejf që të fitojë Trumpi, sepse do të të japë shumë material për të punuar në emision’. Jo. Askush nuk i thotë dikujt që e pastron tualetin: ‘Uau, sa shumë material paske për të punuar’ ndërkohë që dikush e bën një ‘bombë’ aty sepse ka diarre”, ka thënë Colbert.
VIDEO:
Ish-udhëheqësi i një emisioni të tillë, Jay Leno, i cili ishte i pranishëm në emisionin “The Talk”, në kuadër të televizionit CBS, ka shprehur mendimin e tij për fitimin e Trumpit, duke e quajtur fitoren e republikanit si “ditë të mirë për demokracinë”.
Ani pse nuk e do Trumpin, ai zgjedhjet i vlerësoi si “fer” dhe të “sinqerta”.
“Gjëja e mirë e këtyre zgjedhjeve është se kanë qenë fer, kanë qenë të sinqerta. Nuk jam adhurues i Trumpit, por megjithatë, në rregull është, ai është president i SHBA-së. Le të bashkohemi të gjithë. Faleminderit shumë”, ka thënë ai.

Ndërkohë Leno ka shtuar se zgjedhjet janë bërë në mënyrë profesionale e nuk ka pasur mashtrime.
“Të gjthë thonë se ishin zgjedhje të sinqerta. Dua të them, është një ditë shumë e mirë për demokracinë”, ka thënë ai.