Aktorja e njohur Kim Basinger nuk e sheh të nevojshme praninë e koordinatorëve për intimitet gjatë xhirimeve të skenave eksplicite në filma.
Aktorja 71-vjeçare, e njohur për rolin e saj përkrah Mickey Rourke në filmin erotik “9 1/2 Weeks” (1986), beson se aktorët duhet t’i realizojnë vetë këto skena, pa pasur nevojë për “vizita mbikëqyrëse”.
“Nuk mund ta imagjinoj dikë që më afrohet dhe më pyet: ‘A të shqetëson nëse e vendos dorën këtu?’. Ky është thjesht një person tjetër në dhomë. Ose e rregullojmë vetë, ose nuk e bëjmë. Nuk e shoh të domosdoshme këtë mbikëqyrje”, ka thënë ajo në intervistë për Variety.
Megjithatë, Basinger pranon se realizimi i një skene dashurie kërkon shumë angazhim.
“Është shumë e vështirë të xhirosh një skenë dashurie të bukur. Njerëzit mund të mendojnë se mjafton të shtrihesh me pak vaj bebesh që të vezullojë lëkura, por nuk është kështu. Mund të të vë në siklet”, ka shpjeguar aktorja.
Nga ana tjetër, ylli ka folur edhe për marrëdhënien e saj me ish-bashkëshortin Alec Baldwin, me të cilin ka qenë e martuar nga viti 1993 deri në vitin 2002 dhe me të cilin ka një vajzë, Ireland, 29 vjeçe.
“Alec dhe unë kemi një marrëdhënie të mirë. E respektoj për atë ku ndodhet sot dhe për familjen e tij. Nuk i kalojmë bashkë Krishtlindjet apo festat, nuk shihemi shpesh, por flasim. Ai më merr në telefon dhe kemi një marrëdhënie të mirë dhe, në shumë mënyra, plot dashamirësi, sepse kemi një vajzë së bashku. Nuk i uroj asgjë tjetër veç më të mirën”, ka treguar Basinger.
Ndërkohë, Alec Baldwin po sjell jetën e tij në ekran përmes reality show-t “The Baldwins”, por Basinger pranon se nuk ka aspak interes për diçka të tillë.
“Anonimiteti yt është si një balonë heliumi. Po ta lëshosh nga dora, ka ikur përgjithmonë. E kuptova këtë shumë e re në moshë. Duke zbritur nga avionët anembanë botës, duke pasur njerëz që të ndjekin në hotele, truproja, policë… dhe ti mendon: ‘Çfarë po ndodh?’ Thjesht mbetesh i habitur”, u shpreh ajo.