Ylli televiziv, Khloé Kardashian ka zbuluar projektin e saj më të ri, një reality show, i cili do të jetë vazhdim i serialit të famshëm “The Kardashians” në platformën “Hulu”.
40-vjeçja, që u bë e njohur përkrah familjes së saj në vitin 2007 me serialin “Keeping Up with the Kardashians” në televizionin E!, tani është duke punuar në një projekt krejtësisht të ri, por të lidhur me universin e Kardashianëve, ka raportuar “FemaleFirst”.
E pranishme në ngjarjen “Get Real House” të “Hulus”, të martën më 22 prill, së bashku me Scott Disick, ajo ka deklaruar se është shumë e emocionuar për projektin e ri.
“Është shumë emocionuese, shumë e re, shumë e mrekullueshme. Jemi të entuziazmuar që po vazhdojmë me zhvillimin”, ka thënë ajo.
Ndërsa nuk u dha ndonjë detaj nëse në këtë projekt do të marrin pjesë motrat e saj Kim dhe Kourtney apo nëna Kris Jenner, u bë e ditur se emri i përkohshëm i emisionit është “Calabasas Behind the Gates”, dhe do të eksplorojë jetën e familjes Kardashian përtej asaj që shihet në ekran.
Rob Mills, nënkryetar ekzekutiv në “Disney”, ka thënë se njerëzit duan të dinë më shumë për jetën e yjeve në fjalë.
“Të gjithë duam të dimë çfarë ndodh pas portave të Calabasas, kush janë të gjithë këta njerëz që bëjnë pjesë në jetën e zgjeruar të Kardashianëve? Ne po zhvillojmë një show që për momentin po e quajmë ‘Calabasas Behind the Gates’”, ka thënë ai.
Ende nuk ka një datë zyrtare për transmetimin e këtij seriali të ri, por ai vjen në një moment të rëndësishëm për Khloén, e cila së fundmi ka folur hapur për vetëbesimin që ka fituar qëkur mbushi 40 vjeç.
“Duke qenë 40, doja të realizoja gjëra për të cilat mendoja prej kohësh, por më mungonte vetëbesimi ose isha shumë e frikësuar për t’i provuar. Me podcastin tim ‘Khloé In Wonderland’, thashë: ‘Mjaft më, po e bëj!’ Jam krenare që po e realizoj dhe ndihem mirë. Kam gjetur ritmin tim”, ka thënë ajo në një intervistë për “US Weekly”.
Ajo ka shtuar me humor se e vetmja gjë jo e mirë e të qenit 40 është se e ndien trupin të lodhet më lehtë.
“Më dhemb shpina! Gjërat që kurrë nuk i kam thënë më parë. Por përveç kësaj, gjithçka është perfekte. Jam në një moment shumë të mirë të jetës sime dhe kjo më bën të lumtur”, ka thënë ajo duke qeshur.