Këngëtarja e njohur amerikane, Kesha, dikur e kishte ngatërruar ankthin intensive me thyerje psikike.
Ylli 36-vjeçar i muzikës, e cila gjithmonë ka folur hapur për sfidat me shëndetin mendor, e pranoi se i është kthyer meditimit dhe terapive “shpirtërore” për ta ndihmuar të shërohet, kjo pasi u përball me një përvojë të çmendur dhe nuk po e kuptonte se çfarë po ndodhë me të.
“E kalova këtë përvojë shpirtërore të çmendur psikedelike në mes të ankthit. Truri im ishte gati për të eksploduar. Mendoja se isha në proces të një thyerje psikike apo diçka e tillë. Por, sapo fillova ta pranoja dhe ta kuptoja këtë gjendje, vendosa se ishte momenti i duhur për të bërë diçka për ta ndihmuar veten”, deklaroi këngëtarja në një intervistë me Zane Lowe.
Ylli i hitit “Tik Tok” po ashtu e zbuloi se e ka shkruar këngën “Eat The Acid”, e cila është pjesë e albumit të ri të këngëtares “Gag Order”, duke u bazuar pikërisht në këtë eksperiencë.
“E kam pasur këtë lloj udhëtimi të plotë psikedelik ndërkohë që isha esëll, dhe për këtë është shkruar kënga “Eat the Acid”.
Përveç në tekstshkruarje, Kesha po ashtu gjeti ngushëlli tek terapia shpirtërore dhe gjërat mbinatyrore.
“Në momentet më të vështira dhe sfiduese nga ana emocionale, unë vendosa të mbështetem në terapitë shpirtërore. Shenja ime e horoskopit është peshqit, kështu që më pëlqejnë gjërat e çuditshme, të pashpjegueshme, shpirtërore dhe mbinatyrore. Prandaj, pasi që më ndodhi kjo gjë, vendosa ta bëjë të pamundurën për ta ndihmuar veten”.
Kesha në vitin 2014 e paditi producentin e muzikës Lukasz Gottwald në përpjekje për t’u liruar nga kontratat me kompaninë e tij incizuese dhe e akuzoi atë për sulm seksual dhe fizik. Më pas, ai ngriti kundërpadi për shpifje e cila do të shkojë në gjyq në muajin korrik. Së fundmi këngëtarja e pranoi se puna rreth albumit të ri ishte një përvojë emocionale për të.