Ylli amerikan, Hailey Bieber, po ngreh zërin për ndalimin e toksicitetit në mediat sociale.
Modelja dhe afaristja e famshme e shfrytëzoi rrjetin social Instagram, për t’iu kërkuar fansave të saj që të mos dërgojnë mesazhe negative në emër të saj.
“Nëse po i dërgoni dikujt mesazhe apo komente negative në emër timin, duhet ta dini se kjo nuk është diçka që unë e aprovoj. Asnjëherë nuk do t’i pranoj apo përkrahi komentet urryese, të këqija apo të ndyra. Kur bëni kështu, nuk më mbështetni mua dhe nëse merrni pjesë në veprime të tilla, atëherë ju jeni pjesë e një kulture që nuk më përket dhe nuk dua të jem pjesë e saj asnjëherë”, deklaroi Hailey.

Përderisa nuk e përmendi arsyen specifike të këtij reagimi, fjalët e themelueses së kompanisë “Rhode” vijnë tre muaj pasi, Selena Gomez, e cila në të kaluarën ishte në lidhje me bashkëshortin e Haileyt, Justin Bieber, po ashtu e postoi një mesazh të gjatë drejtuar ndjekësve dhe adhuruesve të saj në rrjetet sociale.
Përmes postimit në fjalë, ylli i serialit “Only Murders in the Building” i luti fansat që të ndalojnë së dërguari Hailey Bieberit kërcënime me vdekje, kjo pasi modelja dhe afaristja e famshme i ka kërkuar ndihmë në lidhje me sulmet e urrejtjes që ata po ia bëjnë online, tash e sa vjet.
“Hailey Bieber më ka kontaktuar dhe më ka informuar se vazhdimisht merr kërcënime me vdekje dhe komente negative nga fansat e mi. Unë nuk i miratoj këto sjellje dhe askush nuk meriton të përjetojë kaq shumë urrejtje dhe bullizëm. Unë gjithmonë kam avokuar për mirësjellje dhe vërtet dua që këto veprime dhe sjellje të ndalojnë”, shkroi Gomez.
Hailey është bombarduar me mesazhe urrejtjeje në internet që nga mosmarrëveshja e krijuar si pasojë e një postimi në TikTok, ku ajo duket sikur po e nënçmon këngëtaren e famshme. Ajo vazhdimisht i ka mohuar akuzat e njerëzve, duke thënë se ka vetëm dashuri dhe respekt për Gomezin.
Që atëherë, Selena dhe Hailey e ndjekin njëra-tjetrën në Instagram.
