Këngëtarja boshnjake me origjinë nga Kosova, Selma Bajrami, ishte ndaluar në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd në tentim për të hyrë në Serbi të hënën shkaku i simbolit të shqiptarëve, shqiponjës dykrerëshe. Të martën, ajo ka bërë disa reagime në Instagram pasi iu desh të kthehej në Sarajevë.
Ajo ka ndarë një fotografi në të cilën thuhet se tenisti serb Novak Gjokoviq ulej dhe qeshej me “zëdhënësen e Shqipërisë së Madhe”, Rita Orën, dhe se sipas saj, ndaj tij nuk u bë kaq zhurmë. Gjokoviq dhe Rita Ora u komentuan shumë pasi u panë bashkë në finalen e Kampionatit Botëror të rugbyt vitin e kaluar.
“Novak Gjokoviq ulet dhe qesh me Rita Orën (zëdhënëse dhe avokate për Shqipërinë e Madhe) dhe asgjë? Pastaj ne qeshim dhe bëjmë ‘meme’. Nuk duam dhe nuk krahasohemi, por unë flas se sa banale janë të dyja. Ndërsa njerëzve që nuk janë bashkëqytetarë tanë u ndalohet të tregojnë shqiponjën, nuk duhet të vendosin targa duke kaluar nëpër Serbi”, thuhet në foton e shpërndarë nga Bajrami në Instagram.

Bajram së fundmi ka kënduar këngën “Valle kosovare” në Sarajevë dhe gjatë performancës ka bërë simbolin e shqiponjës. Për këtë, ish-shefi i shërbimit sekret serb (BIA), Aleksandar Vulin, ia ka ndaluar hyrjen këngëtares në Serbi.
“Përshëndetje për të gjithë njerëzit në Serbi që janë ende normalë. Nuk do të flas për atë që ndodhi, mund të flasim për karrierën time. Unë ende besoj se ka më shumë njerëz të mirë se të këqij. A jeni i sigurt që jam e ndaluar? Do të këndoj ku të dua. Nuk dua të flas për këtë, më pyesni diçka për muzikën”, ka shkruar Selma Bajrami në pyetjen e fansave të saj gjatë ditës së sotme.