Këngëtarja Katy Perry dhe gazetarja Gayle King do të jenë pjesë e ekuipazhit të përbërë vetëm nga gratë, që do të udhëtojë në hapësirë me fluturimin e radhës të “Blue Origin”, kompanisë së themeluar nga Jeff Bezos.
Ylli i hitit “Teenage Dream” do të marrë pjesë në misionin e programit “New Shepard”, i cili do të shënojë fluturimin e 11-të njerëzor të tij. Krahas Perryt dhe Kingut, në këtë udhëtim do të jenë gjithashtu edhe prezantuesja Lauren Sanchez, e fejuara e Jeff Bezos, ish-shkencëtarja e NASA-s Aisha Bowe, shkencëtarja kërkimore Amanda Nguyen dhe producentja e filmave Kerianne Flynn, ka raportuar The Hollywood Reporter.
Sipas kompanisë “Blue Origin”, ky mision synon të “sfidojë këndvështrimet mbi Tokën”, "të fuqizojë” ekuipazhin" dhe "të krijojë një ndikim të përhershëm që do t'i frymëzojë brezat e ardhshëm”.
Perry, e cila ka një vajzë katërvjeçare, Daisy, me të fejuarin e saj Orlando Bloom, ka thënë se ndihet “e nderuar” që është pjesë e këtij udhëtimi dhe shpreson që “ky moment ta frymëzojë vajzën dhe të tjerët që t'i synojnë yjet, si në kuptimin e drejtpërdrejtë ashtu edhe në atë figurativ”.
Ndërkohë, Gayle King ka thënë se ndihet njëkohësisht “e frikësuar dhe e emocionuar” për këtë përvojë.
“Nuk di si ta shpjegoj ndjesinë e të qenit e tmerruar dhe e emocionuar në të njëjtën kohë. Është si ai momenti kur po përgatitesha të sillja në jetë fëmijën tim”, ka thënë ajo gjatë emisionit CBS Mornings.
Gazetarja 70-vjeçare u kontaktua për këtë mundësi në nëntor dhe vendosi ta pranonte si pjesë të një “aventure të re”, pasi festoi një përvjetor të rëndësishëm të jetës së saj.
“Kjo nuk ka qenë kurrë ëndrra ime. Dikush më tha: ‘Ndoshta duhet të kesh ëndrra të reja, Gayle.’ Pasi mbusha një moshë të caktuar, mendova se duhet t’i hapja vetes rrugën për aventura të reja”, ka thënë ajo.
Para se të pranonte misionin, Gayle ka kërkuar mendimin e fëmijëve të saj, Will dhe Kirby Bumpus, që i ka me ish-bashkëshortin William Bumpus, si dhe të mikeshës së saj të ngushtë, Oprah Winfrey.
“Pasi Kirby, Will dhe Oprah ishin në rregull me këtë, atëherë edhe unë isha e qetë”, u shpreh ajo.
Fillimisht, ajo ka thënë se ka menduar që Winfrey do ta kundërshtonte idenë, por u befasua kur ajo e mbështeti.
“Mendoj se nëse nuk e bën, kur të tjerët të kthehen dhe ti ke pasur mundësinë të ishe aty, do të pendoheshe”, i kishte thënë Winfrey.
Gayle ka thënë se mezi pret ta ndajë këtë eksperiencë me gratë e tjera të ekuipazhit.
“Këto gra janë të mrekullueshme, secila me një histori frymëzuese. Besoj te ‘Blue Origin’ dhe te misioni i tyre. Jam vërtet e emocionuar dhe e pres me padurim këtë udhëtim”.
Deri më tani, programi New Shepard ka çuar 52 persona përtej vijës Karman, kufiri i njohur i hapësirës, dhe fluturimi i radhës pritet të realizohet këtë pranverë.