Këngëtarja e njohur Katy Perry, e cila do të marrë pjesë në fluturimin e parë në hapësirë me një ekuipazh vetëm me gra, të hënën ka ndarë me ndjekësit një përvojë emocionale që sipas saj është shenjë nga “qielli”, ka shkruar FemaleFirst.

Perry, e cila do të udhëtojë në hapësirë bashkë me filantropen, Lauren Sánchez dhe prezantuesen Gayle King, u shpreh përmes një videoje në Instagram se ka marrë “konfirmime nga universi” që i japin ndjesinë se nuk është rastësi që ajo po merr pjesë në këtë mision.
“E dini që gjithmonë kërkoj sinjale nga qielli, nga udhëzuesit e mi, nga engjëjt, nga vetja ime më e lartë. Dhe kur e kërkoj dhe jam e hapur për to, janë shumë të qarta”, ka thënë ajo.
Perry ka shpjeguar se kur e ka parë për herë të parë kapsulën e fluturimit, vuri re se në pjesën e përparme kishte një formë puple, simbol që ka domethënie personale për të.
“Nëna ime gjithmonë më ka quajtur ‘Pupël’. Kur e pashë atë simbol në kapsulë, ishte si një konfirmim i madh”, ka thënë këngëtarja.
Dhe ajo ka treguar se befasia nuk ka mbaruar aty.
“Në fund të ditës, na treguan emrin e kapsulës, quhej 'Tortoise' (breshkë). Dhe mamaja më thërret gjithashtu ‘Breshkë’. Si është e mundur që po fluturoj në një kapsulë që ka simbolin tim dhe emrin që më thërret mamaja? Nuk ka rastësi. Jam shumë mirënjohëse për këto shenja”, ka thënë ajo.
Ylli po mendon se ka një lloj fuqie mbinatyrore që po e udhëheq këtë udhëtim.
“Sot, një kujtesë se ka diçka më të madhe se unë që po udhëheq udhëtimin tim.
Me dashuri, Pupla/Breshka”, ka shkruar Perry në postimin e videos.
Ndërkohë, edhe Gayle King, bashkudhëtare në fluturimin "Blue Origin", ka pranuar në emisionin CBS Mornings se ndjenja e frikës dhe emocionit janë të përziera.
“Jam shumë e frikësuar. Por edhe shumë e emocionuar. Nuk di si ta shpjegoj ndjesinë e të qenit e tmerruar dhe e entuziazmuar njëkohësisht. Është si ndjesia para lindjes së një fëmije”, ka thënë ajo.
Fluturimi do të realizohet nga shkretëtira e Teksasit perëndimor dhe është pjesë e programit “New Shepard”, që synon të sjellë turizmin hapësinor më afër publikut.