"Mësoni të lini të lirë fëmijët tuaj" është mesazhi që ka aktorja Kate Hudson për të gjitha nënat.
Sipas saj, kur i ke rritur fëmijë me dashuri dhe përkushtim, s’mund të presësh më asgjë prej tyre, përveçse t’i lejosh të jetojnë jetën e tyre.
Në një intervistë për podkastin “Not Gonna Lie”, Hudson, 46 vjeçe, e cila është nënë e tre fëmijëve, ka folur për marrëdhënien me djalin e saj të madh, ka raportuar FemaleFirst.
“Ryder është 21 vjeç dhe unë isha shumë e re kur e linda. Disi jemi rritur bashkë. Dhe tani ai më sheh mua, jo vetëm si nënë, por si njeri. Një ditë më tha: ‘Je mirë? Je shumë e ngarkuar. A po kujdesesh për veten?’ Dhe aty kuptova se përkushtimi që i kam dhënë, po më kthehet mbrapsht. Ai po më jep mua atë që unë i dhashë dikur”, ka thënë aktorja.
Por Hudson ka theksuar se ky “shkëmbim dashurie” ndodh vetëm kur nuk i kontrollon fëmijët.
“Gjithçka që do t’i thosha një nëne është: liroje fëmijën. Lëre të shkojë. Mos i qëndro pas. Mos prit asgjë”, ka shtuar ylli.
Ajo pranon se kjo nuk është gjithmonë e lehtë, sidomos kur ndihesh e lidhur fort me ta. Por vendosmëria për t’i lejuar të jenë vetvetja, sipas saj, është çelësi.
“Nëse i mban shumë nën kontroll, do t’i largosh. Do t’i çmendësh. Do të ikin me vrap. Prandaj, lëri t’i gëzohen jetës së tyre”, ka thënë ndër të tjera artistja.
Hudson i kujtoi bashkëbisedueses Kylie Kelce, e cila ka pesë fëmijë me futbollistin Jason Kelce, se ndonëse fëmijët mund të mos të telefonojnë për disa ditë, “kur të kenë nevojë për ty, do të të kërkojnë vetë”.