Showbiz

Kate Hudson thotë se nuk bën filma për kritikët

Kate Hudson

Kate Hudson

Foto: Associated Press

Aktorja Kate Hudson ka folur hapur për qasjen e saj ndaj aktrimit dhe idenë e punës për një çmim “Oscar”.

Aktorja 45-vjeçare, e njohur për rolin e saj në komeditë romantike si “Bride Wars” dhe “How To Lose A Guy In 10 Days” , të cilat u kthyen në filma kult pavarësisht kritikave jo të mira, ka theksuar se një artist duhet të ketë objektiva të ndryshme për një film.

“Mendoj se në botën e filmit, kritikët, të cilët analizojnë gjithçka në detaje, ndonjëherë nuk e shohin një projekt për atë që është në të vërtetë apo për atë që njerëzit kanë nevojë. Kritiku ka ndryshuar, sepse sot e gjithë bota është kritiku”, ka thënë ajo në intervistë për Entertainment Weekly.

Duke folur për procesin e krijimit të një filmi, ajo ka thënë se e pyet veten se për kë po e bën.

“Kur realizon një film për të përcjellë një ndjesi të caktuar, unë e shoh si një spektër:’ Për kë po e bën? Për kritikët apo për publikun?’ Ti thjesht përpiqesh të bësh filmin më të mirë të mundshëm, duke treguar historinë që dëshiron të tregosh. Nëse mendon vetëm për atë se kë duhet të kënaqësh, ndoshta do ta humbasësh thelbin”, ka thënë ajo.

Sipas Hudson, filmat si “Bride Wars” dhe “Something Borrowed”  do të ishin krejtësisht ndryshe nëse do të synonin të ishin projekte të vlerësuara nga kritikët dhe të denjë për fushata “Oscar”.

“Njerëzit ndoshta nuk e kuptojnë sa e vështirë është të realizosh një film të tillë dhe ta bësh të pëlqehet”, ka shtuar ajo.

Së fundmi, Kate Hudson po debuton si protagoniste në një serial të ri televiziv, komedinë sportive të Netflix-it “Running Point”.

Edhe pse ka pasur role në projekte si “Glee” dhe “Truth Be Told”, këtë herë ajo ka një angazhim më të madh dhe ka vënë re ndryshimin mes xhirimeve të filmave dhe serialeve.

“Ishte një eksperiencë krejtësisht e re. Nuk kisha qenë kurrë në një serial ku brenda një dite të vetme të xhiroje kaq shumë skena, madje edhe nga episode të ndryshme. Ishte një botë krejt tjetër për mua. Por kishim një ekip të mrekullueshëm dhe, oh Zot, kemi qeshur aq shumë!”, ka thënë ndër të tjera aktorja.