Reperi i njohur Kanye West ka publikuar një këngë të re, ku përfshihet vajza e tij 11-vjeçare, North West, si dhe reperi Sean “Diddy” Combs, ka raportuar People.
Kënga, e titulluar “Lonely Roads Still Go to Sunshine”, u postua nga West në platformën X ditë më parë. Në këtë projekt muzikor marrin pjesë gjithashtu King, djali 26-vjeçar i Diddyt, dhe këngëtarja Jasmine Williams, një artiste e re nga Chicago, e cila është pjesë e labelit “Yeezy” të Westit.
Kënga nis me një bisedë telefonike, ku dyshohet se dëgjohet zëri i Diddyt duke falënderuar Westin për kujdesin ndaj fëmijëve të tij.
“Dua të të falënderoj që po kujdesesh për fëmijët e mi. Askush tjetër nuk është interesuar për ta, askush nuk i ka telefonuar”, dëgjohet të thotë Diddy.
West i përgjigjet: “Absolutisht, të dua shumë. Ti më ke rritur mua përmes muzikës, edhe kur nuk të njihja ende personalisht”.
Gjatë këngës, North West dëgjohet duke thënë: “Kur më sheh duke shkëlqyer, atëherë e sheh dritën”.
Konflikti me Kim Kardashian
Para publikimit të këngës, ylli televiziv, Kim Kardashian kishte tentuar ta ndalonte atë, duke përdorur të drejtat mbi emrin e vajzës së tyre. Sipas mediave, West publikoi screenshot-e të një bisede me ish-bashkëshorten e tij, ku ajo i kujtonte se kishte regjistruar emrin e North me të drejta autoriale, për ta mbrojtur.
“Unë e kam regjistruar emrin e saj me të drejta autoriale për ta mbrojtur. Kur të mbushë 18 vjeç, e drejta do t’i kalojë asaj. Prandaj, ndalo”, thuhej në mesazhin e Kardashian.
Në përgjigje, West e kërcënonte.
“Mendoje mirë ose do ta nis luftën. Dhe asnjëri prej nesh nuk do të rikuperohet nga pasojat publike”, thuhej në mesazhin e Westit.
Mbështetja për Diddyn dhe polemikat e tjera
West ka dalë në mbrojtje të Diddyt, i cili ndodhet në paraburgim nën akuza për përfshirje në trafikim dhe shfrytëzim seksual. Reperi ka deklaruar se Diddy po përdoret si shembull nga autoritetet dhe ka bërë komente të tjera të diskutueshme.
Në muajin shkurt, ai ka publikoi disa mesazhe në X, ku shkruante se “ata” po përpiqeshin të ndëshkonin Diddyn, duke shtuar komente anti-semitiste, të cilat u kritikuan ashpër.
Diddy, i cili u arrestua në muajin shtator të vitit 2024, është akuzuar për trafikim me qenie njerëzore dhe shfrytëzim seksual, por ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka kërkuar mbrojtjen në liri, e cila iu refuzua tri herë, përkundër dorëzanisë prej 50 milionë dollarësh amerikanë.
West ka qenë shpesh në qendër të polemikave për deklarata dhe sjellje kontroverse, përfshirë përpjekjet për të shitur bluza me simbole naziste, gjë që çoi në mbylljen e faqes së tij të shitjeve që ishte në kuadër të webfaqes “Shopify” dhe ndërprerjen e bashkëpunimeve me disa kompani të mëdha.