Reperi, Kanye West, në këngën e re të publikaur të enjten, thotë se bashkëshortja e tij, arkitektja australiane Bianca Censori, e ka braktisur "për shkak të sjelljes së tij shqetësuese në rrjete sociale".
Në këngën me titull “Bianca”, e cila është pjesë e albumit të tij më të ri “WW3” që u publikua këtë të enjte, West rrëfen se partnerja e tij ka përjetuar një atak paniku si pasojë e postimeve të tij ekstreme në platformën X (ish-Twitter), ka raportuar PageSix.
“E dashura ime iku. Por më parë u përpoq të më çonte në spital. Nuk po shkoj sepse nuk jam i sëmurë, thjesht nuk e kuptoj. Ajo po përjeton një atak paniku dhe nuk i pëlqen mënyra si kam shkruar në Twitter. Derisa të kthehet, nuk do fle. Nuk e di fare ku është”, thotë ai në këngën “Bianca”.
Në këtë këngë, West pranon gjithashtu se e ka përcjellë Censorin përmes aplikacionit të makinës së tij Maybach.
“Po e ndjek përmes një aplikacioni. Po e ndjek nëpër qytet”, thotë reperi tutje në këngë.
Ai shpreh edhe mllefin ndaj familjes së saj si dhe e krahason lidhjen e tij me Cencosin, me atë që reperi P.Diddy ka pasur me këngëtaren Cassie.
“Besoj se jemi si Cassie dhe Diddy. Po e bëj këtë këngë për Biancën”, thot ai në këngë.
Krahasimi i bërë nga West është i diskutueshëm, pasi ish-çifti Cassie dhe P.Diddy janë përfshirë në një skandal ligjor ku Cassie e ka paditur Diddyn për përdhunim dhe dhunë, çështje që solli valë akuzash të tjera ndaj tij dhe përfundimisht arrestimin e tij për trafikim seksual.
Ndërkohë West e përmbyll këngën me një lutje për pajtim.
“Bianca, dua vetëm të kthehesh. Kthehu tek unë. E di çfarë kam bërë që të kam zemëruar”, thotë ai në këngë.
Kanye West dhe Bianca Censori u martuan në vitin 2022, por marrëdhënia e tyre nisi të përkeqësohej kur ai dizajnoi një fustan krejtësisht transparent për Censorin, me të cilin ajo u shfaq në tepihun e kuq te ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Grammy 2025”, një veprim që tronditi publikun dhe median.
Pavarësisht se ajo qëndroi për një kohë pranë tij, madje dhe kur ai deklaroi në rrjete sociale se “unë e dominoi atë”, një burim i afërt me çiftin ka zbuluar se ata u ndanë në muajin shkurt të këtij viti, sepse “ajo nuk duronte më”.
Më 24 shkurt, burime mediatike kanë raportuar ekskluzivisht se çifti po i jepte një tjetër shans martesës, por që prej asaj kohe nuk janë parë më bashkë.
“Bianca dëshiron ta lërë Kanyen. Por ai kontrollon shumë aspekte të jetës së saj”, ka thënë një tjetër burim për Page Six.
Në muajt e fundit, West ka shpërndarë një sërë postimesh fyese, seksiste dhe antisemitike në platformën X.
Ai madje hoqi edhe ndjesën e mëparshme drejtuar komunitetit hebre, duke deklaruar se “s’do të kërkoj kurrë më falje për komentet e mia për hebrenjtë. Mund të them çfarë të dua përgjithmonë”.
Këtë javë, ai është parë me veshje të zezë që ngjasonte me rrobat e organizatës raciste Ku Klux Klan, teksa jepte një intervistë për DJ Akademiks.
