Showbiz

Kanye West njofton se është diagnostikuar me autizëm

Kanye West

Kanye West

Foto: Associated Press

Reperi i njohur Kanye West ka njoftuar se ishte diagnostikuar gabimisht në të kaluarën me çrregullim bipolar dhe tani është diagnostikuar me autizëm. 

Në një intervistë për podcastin “The Download” të Justin Laboy, West, i njohur tani me emrin Ye, ka thënë se gruaja e tij, Bianca Censori, e ka inkurajuar atë të kërkonte një diagnozë të re, shkruan “The Guardian”. 

“Shkova te një doktor… gruaja ime më çoi atje sepse ajo tha: ‘Diçka në lidhje me personalitetin tënd nuk duket si çrregullim bipolar, kam parë bipolar më parë’. Dhe e kuptova që kam autizëm”, ka thënë ai.

VIDEO: 

Ky diagnostikim e ka ndihmuar Westin të kuptonte disa nga sjelljet e tij, siç ishte momenti kur ai veshi kapelën me mbishkrimin “Make America Great Again” dhe lavdëroi presidentin amerikan Donald Trump, duke thënë: “Turma nuk mund të më bëjë të mos e dua atë.”

“Autizmi të çon në një gjendje sikur ‘Rain Man’. Do ta vendos këtë kapelë për Trumpin, sepse më pëlqen Trumpi në përgjithësi, dhe kur njerëzit të thonë të mos bësh diçka, ti thjesht ngul këmbë ta bësh. Ky është problemi im”, ka thënë West.

Ai gjithashtu ka folur për mënyrën se si ai reagonte ndaj kërkesave të fansave për albumet e tij, duke thënë se shpesh bënte gjithçka ndryshe nga ajo që i kërkohej, siç e thotë edhe kënga e tij “Can’t Tell Me Nothing”.

Në vitin 2020, ylli televiziv Kim Kardashian, ish-gruaja e West, po ashtu kishte folur për vështirësitë që kishte me menaxhimin e shëndetit mendor të Westit, duke pranuar se ata që kuptojnë çrregullimet mendore ose sjelljet kompulsive dinë se familja është e pafuqishme për të bërë diçka nëse individi nuk angazhohet vetë në procesin e kërkimit të ndihmës.

Në këtë intervistë, West gjithashtu ka thënë se nuk merr më medikamente për shëndetin e tij mendor, pasi autizmi nuk është një sëmundje që trajtohet me medikamente. 

“Nuk kam marrë medikamente që kur e kuptova që bipolariteti nuk ishte diagnoza e duhur. Po kërkoj gjëra që nuk bllokojnë kreativitetin, sepse kjo është ajo që unë sjell në botë”, ka treguar ai.

Në lidhje me albumin e tij të ri “Bully”, West ka njoftuar se ai do të publikohet në ditëlindjen e vajzës së tij, North West, më 15 qershor.

Ai gjithashtu ka cekur se ka rregulluar marrëdhëniet me producentin Mike Dean, i cili kishte qenë një nga bashkëpunëtorët e tij më të rëndësishëm deri në momentin e një mosmarrëveshje që i ndau.
Po ashtu, ai ka përmendur ndikimin e dyshes amerikane të muzikës rok “White Stripes” për disa nga këngët e tij solo.

Në një pjesë tjetër të intervistës, West ka komentuar edhe për përplasjen mes reperëve Kendrick Lamar dhe Drake, duke thënë se ai e vlerësonte Lamarin si një artist që ka çuar frekuencat e repit përpara dhe këshillon këdo që të mësojë nga ai.

Një ngjarje e fundit që ngjalli shumë polemika ishte paraqitja e Westit në tepihun e kuq të spektaklit të ndarjes së çmimeve “Grammy”, ku ai ishte shoqëruar nga e dashura Censori, e cila kishte veshur një minifustan krejtësisht të tejdukshëm që ekspozonte trupin e saj lakuriq.

Disa e kanë cilësuar këtë veshje si tepër provokuese, ndërsa të tjerë kanë menduar se West e ka detyruar Censorin të vishej në atë mënyrë. 

“Ne e qepëm atë fustan të tejdukshëm gjashtë herë dhe pastaj u zhdukëm si me magji”, ka shkruar West në rrjetin social “X”.
 

Kanye West dhe Bianca Censori në tepihun e kuq të ceremonisë së ndarjes së çmimeve "Grammy"

Ndërkohë kur Raj Kapoor, producenti ekzekutiv i “Grammyt”, u pyet rreth paraqitjes që ka bërë çifti, ai është përgjigjur duke thënë se “Kodi i veshjes ‘Kravata e zezë artistike’ i kësaj ceremonie ishte i hapur ndaj interpretimeve të ndryshme”.

“Sigurisht që ka kod të veshjes për këdo që performon në spektakël, i cili duhet të jetë konform rregullave e praktikave. Por, me njerëzit e të nominuarit që vijnë në ngjarje, duhet të përgjigjet Akademia e Muzikës”, ka shtuar ai.