Këngëtari me famë botërore, reperi kontrovers Kanye West, i ka kërkuar falje komunitetit hebre për deklaratën antisemitiste që kishte bërë në vitin 2022.
Ai ka shkruar në rrjetet sociale në gjuhën hebraishte duke thënë se është i përkushtuar të promovojë unitet.
“I kërkoj sinqerisht falje komunitetit hebre... Nuk kisha ndër mend të lëndoja ose të poshtëroja dhe më vjen shumë keq për çdo dhembje që mund të kem shkaktuar. Jam i angazhuar të filloj me veten dhe të mësoj nga kjo përvojë për të siguruar ndjeshmëri dhe mirëkuptim më të madh në të ardhmen. Falja juaj është e rëndësishme për mua dhe unë jam i vendosur të bëj ndryshime dhe të nxis unitetin”, ka shkruar reperi në Instagram, në hebraisht, raporton “The Guardian”.
West, që njihet gjithashtu me nofkën Ye, u kritikua shumë pasi në vitin 2022 kishte shkruar në rrjetin social “Twitter” duke iu referuar një alarmi për thirrjen e ushtrisë amerikane për vrasjen e hebrenjve.
Ai kishte postuar një fotografi të një bisede që kishte bërë me reperin P.Diddy, në të cilin West kishte shkruar se do ta përdorte si një shembull. “Do të të përdor si shembull për t'u treguar hebrenjve që të thanë të më thërrasësh se askush nuk mund të më kërcënojë ose të më influencojë”, pati shkruar Kanye. Këto komente bënë që kontratat që kishte reperi me brendin sportiv të veshjeve “Adidas” të anuloheshin.
Deklaratat antisemitiste të Kanyes u intensifikuan në dhjetor të 2022-tës kur në një intervistë me adhuruesin e ekstremit të djathtë, Alex Jones, kishte lavdëruar Hitlerin. “Çdo qenie njerëzore ka diçka me vlerë që sjell, veçanërisht Hitleri... [Nazistët] bënë gjëra të mira gjithashtu... Ka shumë gjëra që i dua tek Hitleri”, pati thënë Kanye.
Ai gjithashtu kishte postuar një fotografi ku shihet një kombinim në mes të simboleve si “swastika” dhe ylli i Davidit. West u kritikua nga shefi ekzekutiv i Ligës Anti-shpifje si dhe nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ani pse ky i fundit nuk i përmendi emrin.
Kanye tani është duke u përgatitur ta lansojë albumin e tij të ri “Vultures” më 15 janar, i cili gjithashtu ka përmbajtje antisemitiste nëpër këngë. Albumi që është bashkëpunim i Kanyes me Ty Dolla $ign, e që u incizua në Arabinë Saudite, ishte planifikuar të lansohej më 15 dhjetor, por është shtyrë.
Njëri nga tekstet u drejtohet vërejtjeve të mëparshme që pati Kanye, pasi në rreshtat e këngës ai thotë se “nuk është antisemitist” në një mënyrë eksplicite. Në skenë, West kur po e interpretonte këtë këngë mbante një kapuç të ngjashëm me ato të “Ku Klux Klan”, organizatës terroriste të ekstremit të djathtë.