Producenti Irv Gotti, themeluesi i njohur i “Murder Inc. Records”, ka vdekur në moshën 54-vjeçare. Shkaku i vdekjes nuk është bërë ende publik, por dihet se ai kishte pësuar disa sulme në tru në vitet e fundit dhe ka pasur probleme me diabetin, raporton The Hollywood Reporter.
Gotti ishte një figurë kyç në industrinë e muzikës hip-hop dhe R&B në fund të viteve ‘90 dhe fillim të viteve 2000, duke punuar me artistë të njohur si Ja Rule, Ashanti dhe DMX, dhe duke kontribuar në krijimin e hiteve të mëdha që shënuan atë periudhë.
Stili i tij i prodhimit, i cili përfshinte ritme hip-hop me melodi të këndshme, ndihmoi në krijimin e një vale hitesh që kalonin kufijtë mes rap-it dhe R&B-së, si këngët “I’m Real” dhe “Ain’t It Funny” me Jennifer Lopez, dhe “Always on Time” me Ashanti.
"I'M REAL" JENNIFER LOPEZ DHE JA RULE:
"AIN'T IT FUNNY" JENNIFER LOPEZ DHE JA RULE:
"ALWAYS ON TIME" JA RULE DHE ASHANTI
Para se të themelonte “Murder Inc.” në vitin 1998, Gotti kishte punuar në labelin “Def Jam Recorfds”, ku ndihmoi në përzgjedhjen e emrave të mëdhenj si DMX, Jay-Z dhe Ja Rule që të bëheshin pjesë e labelit. Po ashtu, ai ka kontribuar në albumet e artistëve të tjerë të njohur si Kanye West, Fat Joe dhe Christina Milian.
Edhe pse karriera e tij u ndikua nga një hetim i FBI-së në vitet 2000 për lidhje të mundshme me trafikantët e drogës, Gotti u rikthye dhe u shndërrua në një producent televiziv me krijimin e serisë “Tales” në televizionin BET, një antologji që bashkonte hip-hopin me tregimin e historive.
“’Def Jam’ ka humbur një nga ushtarët më kreativë, i cili ishte vet hip-hopi. Kur ne ishim në vështirësi, ai na shpëtoi. Ai vinte nga një familje e ngushtë dhe e bukur nga Queensi dhe ishte nder dhe privilegj të njihja atë. Irv, do të na mungosh”, ka thënë Lyor Cohen, ish-kreu i “Def Jamit”.
Gotti ka lënë pas tre fëmijë, nënën e tij, motrat Tina dhe Angie, dhe vëllain Chris, me të cilin themeloi “Murder Incun”.
Pas lajmit për vdekjen e tij, shumë artistë dhe figura të njohura të industrisë së muzikës kanë shprehur ngushëllime, përfshirë reperin e njohur 50 Cent, i cili ka postuar një fotografi në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram duke shkruar “Zoti e bekoftë”.
Edhe reperi Kanye West, i cili njihet me nofkën “Ye”, ka postuar lajmin për vdekjen e tij, të cilin e përcolli me një emoji më pëllumb të bardhë.
Televizioni BET ka shkruar gjithashtu në rrjetet sociale duke e cilësuar vdekjen e artistit si “ditë të trishtë për muzikën Hip-Hop”.
Ndërkohë “Def Jam Recording” në një deklaratë ka thkesuar se të gjithë anëtarët e labelit janë thellësisht të trishtuar për humbjen e Irv Gottit.