Këngëtari, Justin Bieber, ka treguar hapur se ndonjëherë ndihet sikur nuk e meriton suksesin e tij, ka raportuar CNN.
“Njerëzit gjatë gjithë jetës sime më kanë thënë: ‘Wow, Justin, e meriton këtë’. Por unë personalisht gjithmonë jam ndier i padenjë”, ka shkruar ylli në një postim në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram.
Ai ka vazhduar duke thënë se shpesh është ndier si një mashtrues.
“Sikur të isha fals. Kur njerëzit më thonin se meritoja diçka, ndihesha sikur po gënjeja. Mendoja me vete: ‘Po ta dinin çfarë mendoj me të vërtetë’”, ka shkruar tutje këngëtari.
Bieber ka treguar se këto mendime përfshijnë edhe vetëdijen për mangësitë e tij personale.
“Sa gjykues jam, sa egoist jam në të vërtetë … Nuk do të thoshin të njëjtën gjë po ta dinin. Nëse edhe ju ndiheni sikur po gënjeni, mirësevini në klub. Unë ndjej se jam i papërshtatshëm dhe i paqartësuar shumicën e ditëve”, ka shkruar më tej ai.
Së fundmi, disa adhurues të tij kanë shprehur shqetësime për shëndetin e tij, sidomos pasi në disa fotografi të fundit ai dukej i lodhur dhe më i dobët. Këto komente nisën të qarkullonin pasi Bieber dhe bashkëshortja e tij, modelja Hailey Bieber, u bënë prindër për herë të parë.
Megjithatë, një përfaqësues i çiftit ka mohuar këto spekulime, duke thënë për TMZ se këngëtari është i fokusuar te muzika dhe te jeta e tij si baba i ri.
“Sugjerimet se ai nuk është mirë, qoftë mendërisht apo fizikisht, janë të lodhshme dhe të pakuptimta. Kjo tregon se, pavarësisht të vërtetës së qartë, njerëzit vazhdojnë të mbajnë në jetë narrativa negative, sensacionale dhe të dëmshme”, ka thënë përfaqësuesi.
Bieber ka qenë i hapur për sfidat e tij shëndetësore në të kaluarën. Ai ka folur publikisht për problemet e tij me shëndetin mendor, ndërsa në vitin 2023 vuajti nga paraliza e përkohshme e fytyrës si pasojë e sindromës Ramsay Hunt. Në vitin 2020, ai ka zbuluar gjithashtu se ishte diagnostikuar me sëmundjen Lyme.