Showbiz

Josh Duhamel: Jeta larg qytetit po i mëson fëmijët e mi si të mbijetojnë

Josh Duhamel

Josh Duhamel

Foto: Associated Press

Aktori Josh Duhamel, 52 vjeç, ka zgjedhur të largohet nga jeta në Los Angeles për të jetuar në një kasolle në mes të natyrës në Minnesota, dhe thotë se kjo ka qenë një zgjedhje e shkëlqyer për familjen e tij,  sidomos për fëmijët.

Ai është baba i dy fëmijëve: Axl, 11 vjeç (nga martesa me këngëtaren Fergie) dhe Shepherd, 15 muajsh, me bashkëshorten e tij aktuale Audra Mari.

Në një intervistë për Fox News Digital, Duhamel ka thënë se jeta në fshat po u mëson djemve të tij aftësi jetësore që nuk do t’i merrnin kurrë në një qytet të madh si LA.

“Një pemë ra gjatë dimrit. Duhej ta prisnim, ta ngarkonim në makinë dhe ta grumbullonim drurin. Djali im Axl nuk do ta bënte kurrë këtë në Los Angeles. Edhe pse e bën me pak përtesë, një ditë do të më falënderojë. Sepse po mëson gjëra që do t’i duhen kur të rritet”, ka thënë aktori.

“Jemi shumë larg nga çdo gjë. Këtu s’ka asgjë. Duhet t’i bëjmë vetë të gjitha. Këta fëmijë duhet të mësojnë si të përballojnë jetën”, ka shtuar tutje artisti.

Ai ka theksua se jeta pranë natyrës i ka sjellë qetësi mendore dhe ia ka ulur stresin.

“Sapo mbërrij atje, tensioni më bie. Nuk më intereson telefoni apo bota jashtë. Më intereson vetëm që kemi ujë, ushqim dhe gjithçka tjetër që na duhet për të mbijetuar”, ka thënë Duhamel.

Ai ka treguar se si një ditë, kur mbërritën në shtëpinë në fshat, rezervuari i ujërave të zeza ishte ngrirë. Por në vend që të telefononin një specialist, vendosën ta rregullonin vetë.

“Nuk mund të thërrasësh dikë që ta zgjidhë. Duhet të mësojmë ta bëjmë vetë. Dhe kjo është ajo që dua që edhe fëmijët e mi ta mësojnë”, ka thënë 52 vjeçi.