Ish-çifti i showbizit, Joe Jonas dhe Sophie Turner, kanë arritur marrëveshje miqësore rreth kujdestarisë së dy vajzave të tyre.
Sipas dokumenteve të dorëzuara në gjykatë e të siguruara nga TMZ, pas fillimit të një ndërmjetësimi katër-ditor javën e kaluar, këngëtari dhe aktorja e famshme kanë arritur në përfundim se një zgjidhje miqësore për të gjitha çështjet mes tyre është e mirëpritur.
Përmes një deklarate të përbashkët për media, Jonas dhe Turner thanë: “Pas një ndërmjetësimi produktiv dhe të suksesshëm, ne kemi rënë dakord që fëmijët të kalojnë kohë në mënyrë të barabartë në shtëpitë e tyre të mbushura me dashuri në SHBA, ashtu edhe në Britani të Madhe”.
Tutje, ata deklaruan se do të jenë prindër të mrekullueshëm për vajzat e vogla, të cilat planifikojnë t’i rrisin bashkë në mënyrën më të mirë dhe favorshme për to.
Sipas marrëveshjes së re, fëmijët fillimisht do të qëndrojnë me yllin e serialit “Game Of Thrones”, nga 9 deri më 21 tetor. Më pas vajzat do të kthehen në Amerikë për të kaluar kohë me babanë e tyre, Joe
Jonas.
Kujdestaria e përbashkët do të vazhdojë deri më 7 janar të vitit 2024, dhe festat e fundvitit do të ndahen mes dy familjeve.
Para pak javësh, aktorja britanike e akuzoi Jonasit për kidnapimin e fëmijëve të çiftit, duke thënë se ata ishin marrë vesh që vajzat t’i rrisin në vendlindjen e saj. Por gjatë gushtit dhe shtatorit, derisa grupi “Jonas Brothers” e filloi turneun muzikor në Shtetet e Bashkuara, Turner u desh të kthehet në Britani të Madhe për ta xhiruar një projekt televiziv. Kështu, ajo dhe Joe ishin pajtuar që fëmijët të udhëtonin me babanë dhe dadon e tyre. Plani ishte që pas xhirimeve, Turner të udhëtonte në New York për t’i marrë fëmijët, por fatkeqësisht martesa e çiftit pësoi krizë dhe vendimi për shkurorëzim u morr shumë shpejtë. Joe insiston se nuk e ka befasuar Sophien me vendimin për t’u shkurorëzuar, por në fakt ata kishin biseduar për këtë gjë disa herë.
Kohëve të fundit, Turner është parë disa herë në publik në shoqërinë e superyllit të muzikës, Taylor Swift, e cila besohet se ia ka huazuar apartamentin në New York, aktores dhe dy vajzave të saj, deri sa të sqaroheshin të gjitha mosmarrëveshjet mes ish-çiftit të njohur dhe të arrinin marrëveshje për kujdestari.
Përgatiti: Edona Binaku