Showbiz

Joe Jonas dhe Sophie Turner martohen të shtunën në kështjellën historike franceze

Joe Jonas dhe Sophie Turner thuhet se do të martohen për herë të dytë në kështjellën historike “Chateau de Tourreau” në Francë këtë fundjavë.

Ylli i popit fillimisht u martua me aktoren Sophie të Game of Thrones në një ceremoni të improvizuar në Las Vegas më 1 maj (2019), por tani ata po përgatiten ta festojnë bashkimin e tyre me një ngjarje më formale në Sarrians, pas rezervimit të kështjellës së restauruar të shekullit të 18-të për ceremoninë e tyre martesore.

Çifti dhe të ftuarit në dasmën e tyre, duke përfshirë edhe vëllezërit e dhëndrit Nick dhe Kevin Jonas dhe bashkëshortet e tyre, u fotografuan duke arritur në vendin e ngjarjes të enjten (27 qershor), ndërsa familjet e Joe dhe Sophie thuhet se po qëndrojnë në një pronë private në të cilën një dhomë e gjumit kushton 5,000 dollarë për natë, ku mysafirët kanë qasje në pishinë, bodrum vere dhe një fushë tenisi, shkruan KOHA Ditore.

Ceremonia e tyre e dytë martesore pritet të zhvillohet të shtunën, gjë që u mësua falë një postimi në “Instagram” nga guruja amerikane për vetëndihmë, dr. Phil McGraw, i cili është mik i çiftit dhe do të marrë pjesë në martesë. Atij si duket i “rrëshqiti” data e martesës kur e komentoi një foto të cilën fundjavën e kaluar Joe e kishte postuar ku ai e puthë gruan e tij të re ndërsa Kulla e Eiffelit në Paris shihej në distancë.

"Më ngadalë tani! Kanë mbetur edhe 1 javë! Ha!" shkroi McGraw. "Shihemi në dasmë!"

Joe dhe Sophie mbërritën në Paris javën e kaluar (më 21 qershor) me një grup të të afërmve për t'u përgatitur për ditën e tyre të madhe dhe pastaj udhëtuan për në një fshat në Provence për pak kohë, përpara se të shkonin në Sarrians.

Çifti u fejua në vitin 2017 pas një lidhjeje rreth një vit.