Showbiz

J.Lo adreson “negativitetin” për lidhjen e saj me Affleck, thotë se ka shumë dashuri

Jennifer Lopez

Jennifer Lopez

Foto: Associated Press

Jennifer Lopez ka folur për “negativitetin që po qarkullon në botë” në mes të thashethemeve të shumta se ajo dhe bashkëshorti i saj, Ben Affleck janë duke shkuar drejt divorcit.

Në një buletin të ri informativ të quajtur “On dhe JLo” të mërkurën, këngëtarja dhe aktorja e famshme ka falënderuar fansat për vënien në krye të listës, të filmit të saj të ri “Atlas” në platformën “Netflix”. 

“Tung të gjithëve, sapo mora lajme të mahnitshme, kjo falë jush. ATLAS është numër një në botë përsëri këtë javë. Faleminderit shumë të gjithëve”, ka shkruar ajo, raporton Page Six.

Lopez ka vazhduar duke komentuar këtë radhë spekulimet e shumta për prishjen e raporteve mes saj dhe aktorit, Affleck.

“Duket sikur ka shumë negativitet nëpër botë, por mos lejoni që zërat e disave të hedhin poshtë faktin se ka shumë dashuri”, ka shtuar ajo.

Këngëtarja 54-vjeçare e ka përfunduar mesazhin e saj duke falënderuar fansat përsëri dhe duke u thënë se i do shumë.

Komentet e saj vijnë teksa mediat raportojnë çdo ditë se lidhja Lopez-Affleck është në krizë.

Raportet se çifti, i cili e ka kurorëzuar dashurinë me martesë në korrik të vitit 2022, ka probleme me martesën, nisën kur Lopezi u paraqit në ngjarjen e madhe të modës, “Met Gala” e vetme, më 6 maj në New York. 

Jennifer Lopez gatë paraqitjes në "Met Gala" 2024

Ndonëse një burim i ka thënë TMZ-së se ylli 51-vjeçar i filmit “Gone Girl” nuk mundi të ishte i pranishëm në këtë ngjarje sepse ishte duke xhiruar për filmin “The Accountant 2”, Affleck ishte i pranishëm në një ngjarje të Tom Brady për Netflix në Los Anxhelos, e cila ishte mbajtur vetëm një natë para “Met Gala”. 

Përveç kësaj, Afflecku është paraqitur në disa ngjarje pa unazën e tij të martesës, dhe po ashtu është raportuar se po jeton në shtëpi të ndarë. 

Ndërkohë, edhe bashkëshortja e tij, Jennifer, është parë bashkë me një shoqe, duke kërkuar shtëpi në Beverly Hills të Kalifornisë. 

Një burim ka thënë për Us Weekly se Lopez dhe Affleck janë “në dy faqe krejtësisht të kundërta” tani që faza e muajit të mjaltit ka mbaruar.

Ben Affleck dhe Jennifer Lopez

Sipas Us Weekly, raportohet se aktori i filmit “Pearl Harbor” “nuk pajtohet me mënyrën e jetesës së Jenniferit, se ndihet i rraskapitur nga martesa dhe se ndihet po ashtu i kontrolluar”.

Pavarësisht thashethemeve për martesën e tyre, yjet që luajnë bashkë në “Gigli” janë vendosur në një front të bashkuar. Së fundmi, ata morën pjesë së bashku në festën e diplomimit të vajzës së Affleck, Violet, dhe po ashtu në lojën e basketbollit të djalit të tij, Samuel.

Megjithëse ylli i "Gone Girl" dhe Lopez shmangën puthjet gjatë ngjarjes, një burim ka thënë për “People” se fakti që ata morën pjesë së bashku ishte një "shenjë e mirë".

Lopez dhe Affleck fillimisht kishin lidhje nga viti 2002 deri në 2004. Romancën e rindezën në vitin 2021 dhe u fejuan një vit më vonë.

Ata u martuan në Vegas në korrik të vitit 2022 dhe bënë një martesë të dytë në Gjeorgji një muaj më vonë.

Lopez ka binjakët Emme dhe Max, 16 vjeç, me ish-bashkëshortin e saj, këngëtarin, Marc Anthony, ndërsa Affleck është baba i Violet, 18 vjeç, Seraphina, 15 dhe Samuel, 12, me ish-bashkëshorten, aktoren Jennifer Garner.