Showbiz

Jin nga BTS do të përqafojë 1000 fansa pas rikthimit nga ushtria

Jin nga BTS

Mijëra fansa të grupit BTS, do të mblidhen në Seul të enjten për një përqafim nga Jini, i cili është rikthyer në rolin e tij si artist i K-popit, pas 18 muajve në shërbim ushtarak, raporton “BBC”.

Kjo maratonë triorëshe, do të jetë ngjarja e tij e parë publike që pas përfundimit të shërbimit ushtarak të mërkurën.

1000 adhurues, që do të përqafohen janë përzgjedhur me anë të një lotarie – edhe pse Jini ka thënë se ka sugjeruar të përqafonte deri në 3000 fansa.

“Jam shumë e lumtur që do ta takoj Jinin”, thotë Park, e cila ka mësuar javën e kaluar se ka fituar lotarinë për “maratonën e përqafimeve”. “Nuk e kam pritur fitoren. Nuk mund ta besoja prandaj kam qëndruar tërë fundjavën duke e shikuar kohë pas kohe”, thotë 32-vjeçarja.

Ajo ka thënë që kjo ndodhi ka filluar “t’i dukej e vërtetë”, në momentin që ka nisur të bëhej gati për të shkuar në kryeqytet.

Jini, 31-vjeçar, i cili është anëtari më i vjetër i grupit muzikor, shkoi në shërbim ushtarak në dhjetor të vitit 2022. Ai ka shërbyer si ndihmësinstruktor i stërvitjes, në një qendër trajnimi për ushtrinë e Koresë së Jugut. Në Kore të Jugut shërbimi ushtarak është i detyrueshëm. 

Jini është pjesëtari i parë i BTS-it, që përfundon shërbimin ushtarak. Gjashtë të tjerët - J-Hope, V, RM, Jimin, Jung Kook dhe Suga -  janë duke shërbyer akoma dhe grupi pritet të ribashkohet në qershor të vitit 2025. 

Në rikthimin e tij, ai ka hyrë në transmetim të drejtpërdrejtë ku ka folur me fansat e tij: “Faleminderit që më pritët, ju dua. Do përpiqem t’i shpreh emocionet e mia nesër”.

Park është si e emocionuar, ashtu edhe e shqetësuar.

“Përqafimi i mijëra njerëzve për tri orë është i vështirë edhe nëse Jin ka ushtruar në ushtri”, thotë ajo.

Ngjarja ka nxitur reagime për rregullat e kualifikimit, që u kanë kërkuar fansave të bëhen pjesë e ARMY-t, e cila ka më shumë se 25 milionë anëtarë. Ata gjithashtu duhet të blinin albume të BTS-it në uebfaqe për t’u futur në lojë – sa më shumë albume, aq më e lartë mundësia për t’u përqafuar.

Kështu fansat e kanë akuzuar menaxhmentin e grupit, HYBE, se e ka përdorur ngjarjen për t’i shitur albumet e pashitura. Agjencia në fund ka kërkuar falje, duke e ulur kriterin që t’i lejojë të gjithë blerësit e albumeve të bëhen pjesë e lojës.

Jini e ka adresuar këtë në transmetimin e së mërkurës: “Kjo është diçka që unë dhe kompania e kemi përgatitur për qëllime të mira, prandaj ju lutem na kuptoni”.

Për fansat, rikthimi i Jinit është gjithashtu fillimi i rikthimit të BTS-it, nga pauza. Por, pyetja e industrisë është se a do të jetë grupi më i famshëm në botë, i suksesshëm pas pauzës?