Këngëtarja Jessie J, është diagnostikuar me sindromen obsesive komplulsive (OSD) si dhe sindromën e mungesës së vëmendjes e hiperkativitet (ADHD).
Këtë diagnostikim ajo e mori pasi u bë nënë për herë të parë dhe lajmin e bëri të ditur përmes llogarisë së saj personale në rrjetin social Instagram.
“Përshëndetje. Jam diagnostikuar me OCD dhe ADHD para tre muajsh. Pasi u tregoja njerëzve mora reagime të tilla si ‘Po, po e dimë’ (jam e sigurt që disa nga ju po ashtu e dini) dhe normalisht pasi u bëra nënë më janë rritur simptomat, gjë që e bëri të duket më pak ‘frikësuese’”, ka thënë 36 vjeçja.
Ajo ka thënë se ndonjëherë as nuk mund të fliste rreth gjendjes që ka, ndërkohë që ka shpjeguar se gjatë tërë jetës është ndjerë sikur të ishte “disi ndryshe” nga të tjerët dhe diagnostikimi e ka bërë që të mendojë më mirë për çështjet personale dhe profesionale.
“Është e çuditshme kur e di që ke qenë disi ndryshe nga të tjerët për tërë jetën dhe i ke ndjerë gjërat ndryshe gjatë gjithë jetës dhe më në fund një ditë dikush ta shpjegon se pse dhe nuk mund ta anashkalosh”, ka thënë Jessie.
Pasi spektri i ADHD-së është shumë i gjerë, këngëtarja ka thënë se dëshiron ta konsiderojë si një lloj superfuqie, sepse po dëshiron që këtë diagnostikim ta shoh si diçka pozitive.
“Më ka bërë të mendoj shumë për tëre jetën time. Mënyrën si kam qenë, mënyrën se si jam përballur me gjëra, lidhjet që kam pasur, si punoj e si dashuroj. Më ka fuqizuar dhe më ka tronditur në të njëjtën kohë”, ka thënë ylli.
Ajo ka thënë tutje se po ndihet mirë që po e ndan lajmin në rrjete sociale sepse mbase do të mund t’i inkurajonte njerëzit e tjerë që të vetëdijesohen më shumë rreth këtyre sindromave.
“Më ka bërë që ta dua veten më shumë. Jam duke e përqafuar veten time 11 vjeçe, e cila lante atletet me brushë dhëmbësh kur ishte e stresuar dhe deri në ditën e sotme, ajo ka jetuar me 1000 lista vetëm që të mos ndihej se po i shkatërrohej jeta. Asgjë në jetë nuk na definon, vetëm na bën të jemi version më i plotë i vetes”, ka theksuar Jessie.
OCD është çrregullim psikologjik nga i cili një person mund të ketë mendime të rikthyeshme, të cilat quhen obsesione. Personat që kanë OCD karakterizohen nga përsëritja e mendimeve dhe ndjenja e nevojën që t’i mbarojnë disa akte rutinore (kompulsione) deri në atë masë sa mosmbarimi i tyre u shkakton ankth e stres. Për mënjanimin e ankthit e stresit, këta persona bëjnë kompulsione të shpeshta si larja e duarve, numërimi i gjësendeve dhe kontrollimimi nëse dyert janë të mbyllura.
ADHD është çrregullim neuro-zhvillimor, i cili është shumë i shpeshtë te fëmijët. Zakonisht, një person me ADHD diagnostikohet në fëmijëri dhe shpesh ajo i zgjatë deri në moshën madhore. Fëmijët me ADHD kanë problem të fokusohen, kanë problem të kontrollojnë sjelljet impulsive (mund të veprojnë pa menduar pasojat) ose janë tepër aktiv.