Showbiz

Jessica Alba: Dua të ndihem e dashur dhe e pranuar për atë që jam

Jessica Alba

Jessica Alba

Foto: Associated Press

Aktorja e njohur amerikane, Jessica Alba, ka reflektuar mbi jetën, dashurinë dhe vetëpranimin, në ditëlindjen e saj të 44-t. Përmes një postimi në Instagram, Alba ndau foto familjare dhe emocione të sinqerta, duke thënë se po hyn në këtë vit të ri me “mirënjohje”.

“Duke hyrë në këtë udhëtim të radhës rreth diellit me mirënjohje. Një pjesë e rëndësishme e reflektimit tim është të kujtoj thelbin e asaj që jam dhe mirënjohjen për gjithçka që më është dhënë… Fëmijët e mi, ju jeni dhurata më e madhe. Faleminderit që më zgjodhët të jem nëna juaj”, ka shkruar ajo në postim, ka raportuar FemaleFirst.

Ajo ka shtuar se shpesh ndihet e lodhur nga kërkesa për perfeksion.

“Ndonjëherë kapem pas gjërave të jetës dhe dëshira për të qenë e përsosur më rraskapit, ndaj po krijoj hapësirë për të pranuar veten, me të gjitha të metat, dhe për të hequr dorë nga nevoja për kontroll”, ka thënë tutje aktorja.

Duke përfunduar, Alba ka shprehur dëshirën më të madhe për këtë vit të ri.

“Teksa hyj në këtë vit të ri, dëshira ime është ajo që uroj edhe për të tjerët: të ndihem e dashur. Të ndihem e përfaqësuar. Të ndihem e pranuar. Dhe të di që jam e denjë për ëndrrat më të mëdha. Për vajzën e vogël që kam qenë dikur… je e sigurt dhe e dashur”, ka thënë ajo.

Ylli, e cila ka tre fëmijë, me ish-bashkëshortin Cash Warren, ka theksuar se ata mbeten prioriteti i saj më i madh.

Në një postim të mëhershëm për ndarjen nga bashkëshorti pas 20 vjetësh së bashku, ajo pati shkruar se për vite me radhë ka qenë një “udhëtim” transformimi e vetëdijesimi.

“Kam qenë në një udhëtim të vetëdijesimit dhe transformimit për vite me radhë, si individ dhe në partneritet me Cash. Jam krenare për mënyrën si jemi rritur si çift dhe në martesën tonë. Tani është koha që të fillojmë një kapitull të ri rritjeje dhe evolucioni si individë. Po ecim përpara me dashuri, mirësi dhe respekt për njëri-tjetrin, dhe do të jemi gjithmonë familje. Fëmijët tanë mbeten prioriteti ynë më i lartë dhe kërkojmë privatësi në këtë periudhë”, pati shkruar ajo.