Showbiz

Jennifer Hudson e nderoi Kobe Bryantin me një performancë emocionuese

Yjet e njohur të skenës muzikore si, Jennifer Hudson dhe Dr Dre, e nderuan legjendën e ndjerë të basketbollit, Kobe Bryant, në ngjarjen “2020 NBA All-Star Game”.

Para se të fillonte loja e basketbollit, një video-kolazh i ri muzikor i prodhuar nga reperi, Dr Dre, u shfaq para publikut të pranishëm në sallë, i shoqëruar nga muzika e hitit të tij të njohur “California Love”, transmeton Koha.net.

Më vonë, pas prezantimit nga legjenda e ekipit “Lakers”, Magic Johnson, në skenë u shfaq këngëtarja dhe aktorja Jennifer Hudson, e cila e interpretoi një version emocionues të këngës “For All We Know (We May Meet Again)”.

Në mesin e performuesve të mbrëmjes ishin edhe, Common dhe Chance The Rapper, i cili i interpretoi këngët, “No Problem” bashkë me reperin Lil Wayne, “Hot Shower” dhe “I’m the One” me dyshen DJ Khaled dhe Quavo, dhe këngën “I Was A Rock” të cilën fillimisht e kishte performuar për ikonën e boksit, Muhammad Ali.

Bryant vdiq në një aksident me helikopter më 26 janar të këtij viti, bashkë me vajzën e tij 13-vjeçare Gianna dhe shtatë persona të tjerë. Kjo ngjarje tragjike i preku personalitete të shumta publike të cilët postuan mesazhe ngushëlluese në rrjetet sociale, si: Kanye West, Drake, Beyonce, Usher, Jennifer Lopez, Travis Barker dhe shumë të tjerë.