Showbiz

Van Damme akuzohet për marrëdhënie seksuale me 5 gra rumune që dyshohet se janë trafikuar

Jean-Claude Van Damme

Jean-Claude Van Damme

Foto: Associated Press

Aktori dhe artisti i arteve marciale, Jean-Claude Van Damme, është akuzuar për marrëdhënie seksuale me pesë gra rumune që dyshohet se kanë qenë viktima të trafikimit dhe ai ka qenë në dijeni për këtë. 

Sipas Antena 3 CNN, një padi është paraqitur pranë Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit (DIICOT) në Rumani, duke pretenduar se 64-vjeçari Van Damme ka pasur marrëdhënie seksuale me gratë e trafikuara nga një grup kriminal, i cili dyshohet se drejtohet nga biznesmeni rumun dhe pronari i një agjencie mode, Morel Bolea, ka raportuar Page Six.

Gratë dyshohet se iu prezantuan Van Dammeit si një “dhuratë” dhe aktet e pretenduara ndodhën në një ngjarje që ai e organizoi në Kanë, por nuk është bërë e ditur periudha e saktë kur pretendohe se ka ndodhur ngjarja.

“Gratë ishin në një gjendje të cenueshme, me dyshimin se ishin viktima të trafikimit ... Në një moment në Kanë, në një event të organizuar nga Jean-Claude Van Damme, disa rumunë që po hetohen për krijimin e një grupi kriminal dhe shfrytëzim për prostitucion, dyshohet se i ofruan Van Dammeit pesë gra rumune, modele në Rumani, për marrëdhënie seksuale”, ka deklaruar për Antena 3 CNN avokati Adrian Cuculis, i cili përfaqëson njërën nga viktimat e supozuara.

Sipas tij, aktori ishte në dijeni të situatës së grave.

“Nga deklaratat e dëshmitarëve, është shumë e qartë se Jean-Claude Van Damme e dinte që këto gra po shfrytëzoheshin”, ka thënë tutje avokati.

Një nga gratë që dëshmoi për aktet e pretenduara e raportoi ngjarjen te prokurorët, duke çuar në hapjen e një hetimi penal nga DIICOT.

Meqenëse ngjarjet dyshohet se kanë ndodhur në Kanë, një gjykatë e lartë në Francë duhet të japë autorizimin për nisjen e procedurave penale. Më pas, të dyshuarit do të thirren në Rumani për të dhënë deklaratat e tyre.

Avokati Cuculis ka thënë se ky rast është pjesë e një hetimi më të gjerë mbi trafikimin e qenieve njerëzore dhe trafikimin e të miturve, i cili ka nisur që në vitin 2020 nga prokuroria rumune.

Përfaqësuesit e Jean-Claude Van Damme, i njohur për filmat si “Kickboxer”, “Double Impact”, “Street Fighter” dhe “Double Team”, nuk kanë komentuar ende mbi akuzat.