Një grua e cila pretendon se është sulmuar seksualisht nga reperi i njohur P.Diddy, në një ndejë gjatë viteve 2000, gjithashtu pretendon se është sulmuar edhe nga reperi tjetër me famë botërore, Jay-Z.
Ajo ka ngritur padi fillimisht kundër P.Diddyt në muajin tetor, dhe në atë padi ka përfshirë edhe një person të famshëm tjerë të cili i është referuar si "i famshmi A".
Të dielën gruaja e ka bërë publik emrin e personit A, duke thënë se ai është reperi i famshëm Jay-Z emri i të cilit është Sean Carter.
Carter është i famshmi i parë që akuzohet për sulm seksual në lidhje me çështjet e Combsit.
Përmes një deklarate dhënë për mediumin CNN, Carter i ka quajtur akuzat "të neveritshme". Ai ka ftuar paditësen "të bëjë kallëzim penal e jo civil”.
“Kushdo që do të kryente një krim të tillë kundër një të mitureje duhet të mbyllet në burg, a nuk do të pajtoheshit?”, ka thënë Jay-Z.
Gruaja, identiteti i të cilët nuk është zbuluar dhe identifikohet si Jane Doe, në padi, ka thënë se ishte 13 vjeçe në kohën kur ishte sulmuar seksualisht nga Combs dhe Carter, në një ndejë të organizuar pas ngjarjes së ndarjes së çmimeve nga “MTV Video Music Awards”, në vitin 2000.
Në padi ajo pretendon se pasi i është dhënë një pije pati filluar të mos ndihej mirë e të ketë marramendje dhe pati shkuar në një tualet që ishte afër. Ajo pretendon se fillimisht është përdhunuar nga Carter e pastaj nga Combs.
Sipas padisë, ajo e ka goditur Combsin dhe është larguar nga ndeja.
Në këtë padi, Carter, më parë ishte identifikuar si “i famshmi A”.
Në padi gjithashtu thuhet se avokati i gruas në fjalë, është munduar të komunikojë me Carterin në mënyrë që ta zgjidhnin çështjen privatisht.
Paditësja gjithashtu akuzon Carterin se ka organizuar një konspiracion për të shantazhuar e kërcënuar avokatët e palës paditëse, familjet, punonjësit dhe ish-bashkëpunëtorët e tyre, me qëllim që ata të heshtnin dhe të mos përmendnin Carterin në rastin ligjor.
Në përgjigjen e tij, Carter e ka quajtur kërkesën për ndërmjetësim “përpjekje shantazhimi”.
Ai gjithashtu kritikon avokatin e palës paditëse, duke thënë se ai ka një histori të ngjashme me “shfaqje teatrale” në raste të tjera ligjore.
“Gruaja ime dhe unë duhet t'i ulim fëmijët e të flasim me ta, shokët e njërit nga të cilët, do ta shohin shtypin e ta pyesin atë për natyrën e këtyre pretendimeve, e ai të ua shpjegojë ligësinë e lakminë e njerëzve ... Fëmijët nuk kanë nevojë të përballen me diçka të tillë në moshë kaq të re”, ka thënë Carter, duke shtuar se i është “thyer zemra” pasi familja duhet të përballet më këtë gjë.
Në anën tjetër avokati i paditëses Tony Buzbee ka theksuar rëndësinë e rastit.
“Kjo është një çështje shumë serioze që do të shqyrtohet në gjykatë”, ka thënë ai.
Një personalitet i njohur (emri i të cilit nuk është bërë publik deri më tash) ka ngritur padi ndaj avokatit Tony Buzbee dhe firmës së tij, duke i akuzuar ata për përpjekje për të shantazhuar dhe për të kërkuar shuma të mëdha parash në këmbim të mosngritjes "së akuzave të rreme dhe të tmerrshme ndaj tij".
I famshmi pretendon se Buzbee dhe ekipi i tij kërcënuan të shpallnin akuza të rreme për sulme seksuale, duke përfshirë raste të përdhunimit të të miturve, nëse ai nuk i plotësonte kërkesat e tyre.
Avokati Buzbee e ka mohuar akuzën për shantazh dhe përmes një postim në Instagram ka thënë se firma e tij nuk do të lejojë që avokatët e fuqishëm dhe të pasur të shantazhonin ose të heshtnin për viktimat e sulmeve seksuale. Ai e quajti të papërgjegjshme strategjinë e personit anonim, duke thënë se nëse dikush ka bërë diçka të gabuar, nuk është gjë e mençur të fshihet krimi. Ai shprehu besimin se çështja do të zbardhet me publikimin e plotë të informacionit.
Duke iu përgjigjur deklaratave të Carterit, Buzbee theksoi se klientja e tij “nuk ka kërkuar asnjë cent” nga Carteri dhe se ajo ka kërkuar vetëm një proces ndërmjetësimi të besueshëm dhe konfidencial.
Buzbee e ka mbrojtur fort gruan, duke thënë se ajo është shumë e fuqishme dhe i shprehu krenarinë për qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e saj.
Combs është i përfshirë në një mori padish kundër tij për krime seksuale, të cilat filluan të bëhen që nga fundi i vitit të kaluar.
Ai i ka mohuar të gjitha akuzat ndërkohë që mbrojtja në liri i është mohuar tri herë, përkundër dorëzanisë prej 50 milionë dollarësh amerikanë.